
Deklarata e Presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, ishte e qartë, e drejtpërdrejtë dhe pa hapësirë për interpretime partiake. Ajo që është dakorduar duhet të realizohet. As më shumë, as më pak, thuhet në deklaratën e ASH-së.
“Me këtë qëndrim, Brukseli ia rrëzoi Qeverisë të gjitha arsyetimet e prodhuara për konsum të brendshëm dhe ia nxori në pah dështimin politik koalicionit VLEN, i cili hyri në Qeveri me premtimin se ndryshimet kushtetuese do të bëheshin në gjashtëmujorin e parë.
Deklarata e Costas e bëri të qartë se nuk ka rrugë tjetër për hapjen reale të negociatave me Bashkimin Evropian përveç ndryshimeve kushtetuese të dakorduara. Prandaj, heshtja e VLEN-it sot nuk është kujdes politik. Është pranim i pafuqisë. Është dorëzim para OBRM-PDUKM-së. Është largim nga zotimi mbi të cilin kërkuan besimin e shqiptarëve.
VLEN nuk mund të sillet sikur nuk është pjesë e pushtetit. Mban poste në Qeveri, merr pjesë në vendimmarrje dhe mban përgjegjësi për bllokadën që po e mban vendin larg rrugës evropiane.
Aleanca për Shqiptarët kërkon që VLEN menjëherë t’i kthehet marrëveshjes bazë dhe të kërkojë nisjen e procedurës për ndryshimet kushtetuese. Shqiptarët nuk votuan që përfaqësuesit e tyre të bëhen mburojë e bllokadës, as dekor i një Qeverie që po e mban vendin larg Bashkimit Evropian”, thonë nga ASH./Telegrafi/





