
Prokuroria për Ndjekjen Penale të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka kryer një hetim paraprak prej disa muajsh mbi aktivitete të mundshme të paligjshme në Kabinetin e Presidentes Gordana Siljanovska-Davkova, të lidhura me dyshimet për nxjerrjen dhe kodimin e të dhënave konfidenciale, njoftoi “Sloboden Peçat“.
Sipas informacionit, Prokurorisë iu dorëzua një kallëzim penal anonim nga një “grup punonjësish të Ministrisë së Brendshme”, i cili pretendon se të dhënat konfidenciale janë kopjuar dhe koduar nga sistemi kompjuterik i Kabinetit, me dyshimin se ato mund të kenë përfunduar te shërbimet e inteligjencës së huaja.
Prokuroria konfirmoi për “Sloboden Peçat” se hetimi paraprak u hap në dhjetor të vitit të kaluar, pas një njoftimi nga Sektori i Krimit Kibernetik në Ministrinë e Brendshme.
“Janë lëshuar urdhra për analizën e pajisjeve kompjuterike, telefonave celularë dhe të dhënave elektronike, por ende nuk ka një raport përfundimtar”, tha Prokuroria.
Dyshime shtesë, sipas medias, shkaktohen nga fakti se pamjet nga kamerat e sigurisë në Zyrën e Presidentit nuk janë siguruar ende. Ministria e Brendshme konfirmoi se pajisjet kompjuterike dhe telefonat celularë janë sekuestruar dhe se analiza e provave elektronike është duke u zhvilluar.



