
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe në konferencën e sotme për shtyp, theksoi se ndërsa vendet e rajonit po përparojnë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Maqedonia po ngec për shkak të politikave të gabuara të qeverisë Mickoski dhe mbetet e bllokuar pa asnjë përparim në rrugën evropiane.
“Disa ditë më parë, u formua një komision që tashmë po harton marrëveshjen për pranimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian. Ku jemi ne? Të bllokuar në gënjeshtrat e Kryeministrit, në politikat e tij anti-evropiane, në fyerjet që ai përhap ndaj shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe Bashkimit Evropian në tërësi, ndërsa ai është atje si mysafir, duke u përpjekur që përmes justifikimeve të mëparshme, fushatës së rreme, lajmeve të rreme, të paraqesë se ka njëfarë progresi këtu”, tha Filipçe.
Ai shtoi se qeveria me vetëdije nuk po zbaton reforma, as nuk po ndërmerr hapa që do të mundësonin fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian, ndërsa kryeministri Mickoski është personalisht përgjegjës për këtë.
“Asgjë nuk po ndodh këtu, nuk ka reforma dhe nuk po ndërmerren hapat e nevojshëm që ne të fillojmë negociatat me Bashkimin Evropian, për të hapur negociatat për kapitujt. Njeriu që tani ka vënë veton në procesin e pranimit të Maqedonisë në Evropë ka një emër dhe mbiemër, emri i tij është Hristijan Mickoski”, tha Filipçe.
Në këtë kontekst, Filipçe tha se qytetarët nuk e meritojnë që vendi të jetë i izoluar ndërsa vendet fqinje po përparojnë, duke shtuar se Maqedonia është lënë plotësisht jashtë proceseve evropiane./Telegrafi/





