
Draft-strategjia për kulturën 2026–2030 në Maqedoninë e Veriut ka nxitur reagime të shumta në opinion dhe nga artistët të cilët thonë se nuk duhet të lejohet mbyllja e Ansamblit të Tetovës.
Analiza e gjendjes tregoi se një pjesë e institucioneve nuk janë të kompletuara me staf dhe nuk kanë hapësirë të përshtatshme për punë, prandaj, një nga fushat prioritare në Strategjinë Kombëtare i referohet institucioneve kombëtare dhe riformësimit të tyre në drejtim të autonomisë më të madhe në funksionim dhe përmirësimit të sistemit të veprimit, me masa dhe aktivitete konkrete të përcaktuara në Planin e Veprimit për zbatim.
“Në Strategjinë Kombëtare askund nuk është theksuar se Institucioni Kombëtar “Ansambli Muzikor në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, Tetovë, apo ndonjë institucion tjetër, do të mbyllet”, thonë nga Ministria e Kulturës për “Portalb”.
Nga Ministria thonë se në periudhën në vijim do të realizojë një analizë të thellë dhe gjithëpërfshirëse të rrjetit ekzistues prej 72 institucionesh kombëtare, nga e cila pritet të dalin tregues të qartë për veprimet e ardhshme.
“Qëllimi i kësaj fushe prioritare është krijimi i një sistemi institucional kulturor funksional dhe efikas”, thonë nga Ministria e Kulturës.
Sa i përket kapaciteteve kadrovike, Ministria thotë se pas disa vitesh nga themelimi, disa institucione ende nuk janë të kompletuara me staf.
“Një nga parakushtet kryesore për krijimin e institucioneve të reja duhet të jetë analiza e thelluar e potencialit njerëzor në dispozicion, që do të mundësonte funksionimin e suksesshëm të një institucioni, parakusht që në vitin 2023, kur ky institucion është themeluar, nuk është marrë parasysh, përkatësisht nuk është përmbushur. Për më tepër, punësimi në institucionet kulturore nuk varet vetëm nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit por kushtëzohet edhe nga miratimi i mjeteve financiare nga Ministria e Financave”, thanë nga Ministria e Kulturës.
Në këtë drejtim, ata thonë se ky segment i strategjisë kombëtare pritet të japë një pasqyrë të qartë të gjendjeve dhe nevojave të institucioneve, kapaciteteve dhe mundësive, si dhe të ofrojë zgjidhje për tejkalimin e këtyre sfidave të evidentuara në disa institucione kulturore, duke krijuar mekanizma për institucione kulturore të forta, autonome dhe moderne që do ta zhvillojnë kulturën në shtet në të gjitha veprimtaritë dhe fushat.





