
Bashkimi Demokratik për Integrim paralajmëron për një rënie serioze të investimeve të huaja direkte në Maqedoni, duke kërkuar përgjegjësi politike nga qeveria aktuale.
Sipas partisë, në vitin 2025, investimet u ulën me 61% krahasuar me vitin e kaluar, duke arritur një vlerë prej 468 milionë eurosh, të cilën e vlerësojnë si “një nga rezultatet më të dobëta në rajon dhe një sinjal të vështirë për ekonominë e vendit”.
Deklarata thekson se investitorët e huaj kërkojnë siguri ligjore, institucione funksionale, stabilitet politik, administratë profesionale dhe një perspektivë të qartë euroatlantike, duke shtuar se “kur shteti krijon pasiguri, tensione politike dhe mungesë drejtimi strategjik, kapitali zgjedh destinacione të tjera”.
BDI paralajmëron se pasojat e një rënieje të tillë janë të drejtpërdrejta dhe serioze:
“Rënia prej 61% do të thotë më pak vende pune, më pak prodhim, më pak mundësi për paga më të larta dhe më pak shanse për të rinjtë”.
BDI kritikon qeverinë për faktin se në vend të zhvillimit ekonomik të premtuar dhe investimeve rekord, rezultatet janë të kundërta, duke deklaruar se “izolimi i brendshëm politik, përkeqësimi i marrëdhënieve ndëretnike, marrëdhëniet e tendosura me partnerët ndërkombëtarë dhe ngecja e rrugës evropiane po krijojnë pasoja të drejtpërdrejta ekonomike”.
“Duhet të ketë përgjegjësi të qartë politike për këtë situatë. Një qeveri që në një kohë të shkurtër e ka çuar vendin në fund të rajonit për sa i përket investimeve të huaja nuk ka besueshmërinë për të kërkuar durim nga qytetarët”, thuhet në deklaratë.
BDI thotë se “dorëzimi i kësaj qeverie është hapi i parë i nevojshëm për të rivendosur besimin, stabilitetin dhe perspektivën e zhvillimit të vendit”.




