
Ambasadorja izraelite në Maqedoninë e Veriut, Vivian Aisen, përshëndeti “veprimet vendimtare të autoriteteve në vend për të hetuar dhe për të mbajtur përgjegjës ata që janë përgjegjës” për tentativën e zjarrvënies së ndërtesës së Komunitetit Hebraik dhe sinagogës në Shkup.
Aisen, në rrjetin social “X”, e rishpërndau postimin e ministrit të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski në të cilin ai dënoi tentativën e zjarrvënies.
“Faleminderit, Ministër. Veprimet e shpejta dhe vendimtare të autoriteteve të vendit për të hetuar dhe për të mbajtur përgjegjës ata që janë përgjegjës për këtë akt të neveritshëm antisemit janë thelbësore për të parandaluar incidente të mundshme në të ardhmen”, shkruan Aisen “X”.
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Muçunski dënoi tentativën për zjarrvënie të ndërtesës së Bashkësisë Hebraike dhe sinagogës në Shkup, duke thënë se “shoqëria jonë qëndron fort në qëndrimet e tolerancës dhe bashkëjetesës multietnike”./Telegrafi/





