
Inflacioni përsëri u rrit. Enti Shtetëror i Statistikës ka matur se në mars ka arritur në 4,9 për qind krahasuar me marsin e vitit të kaluar. Janë rritur edhe çmimet me pakicë për 3,4 për qind.
Shpenzimet për ushqim dhe pije joalkoolike janë rritur për 7,5 për qind. Brenda një viti janë shtrenjtuar edhe veshmbathja, këpucët, kujdesi shëndetësor, rekreacioni, sporti dhe kultura, si dhe janë rritur çmimet në restorante, akomodim dhe arsim. Krahasuar me shkurtin, kostot e jetesës janë më të larta për 0,7%.
Edhe vlerësimet e Qeverisë kanë qenë se në mars inflacioni do të përshpejtohet dhe do të lëvizë ndërmjet 4,5 dhe 5 për qind. Kryeministri Mickoski thotë se po bëhen analiza dhe paralajmëron masa të reja të targetuara pas Pashkëve.
“Masat e ardhshme do të jenë më të targetuara për grupe të caktuara të qytetarëve dhe për produktet bazë, flas këtu për produktet bazë ushqimore. Këto masa do të jenë të kombinuara me ulje të TVSH-së, por edhe me kufizim të marzhës së fitimit”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.
Ekspertët paralajmëruan se goditja nga kriza në Lindjen e Mesme mund të jetë deri në tre herë më e madhe se ajo e vitit 2022 dhe kërkuan masa urgjente nga Qeveria për mbrojtjen e standardit të qytetarëve.





