
Kryetari i Prizerenit, Shaqir Totaj thotë se nuk ka informacione dhe transparencë për atë se çka po punohet në rrugën Prizren-Tetovë.
Kjo rrugë nuk mund të ndërtohet pa pasur bashkëpunim mes dy qeverive! Nuk e di sa ka bashkëpunim, nuk e di sa ka nënshkrim të marrëveshjeve, tha Totaj, gjatë takimit të sotëm të Asamblesë së Unionit të Bashkive Shqiptare që organizohet në Tetovë.
Totaj akuzoi qeverinë e Kosovës për mungesë të transparencës në këtë projekt.
“Në Kosovë ka punime që po realizohen. Ne po ballafaqohemi me mungesë të transparencës dhe me mungesë të informacioneve të sakta se çka po punohet, në çfarë drejtimi po punohet edhe shumë informacione të tjera që do të duhej të ishin publike, që ne nuk i kemi. Por projekti si i tillë, ideja për një projekt të tillë gjithsesi duhet të përshëndetet dhe duhet të besojmë se do të realizohet”, shtoi Totaj.
Kryetari i Komunës së Tetovës tha se është me rëndësi sepse, në kuadër unionit kemi shumë projekte të përbashkëta, me çka bashkëpunimi i komunave apo mes pushtetit lokal bëhet thelbësor në drejtim të rritjes së komunikimit mes shqiptarëve në gjithë rajonin e Ballkanit.
“Në Tetovë edhe një herë grumbullohen krerët e bashkive shqiptare në gjithë rajonin e Ballkanit dhe më gjerë madje, sepse pjesë e këtij unioni, janë edhe shqiptarët e Arbëreshëve të Italisë. Është me rëndësi sepse, në kuadër unionit kemi shumë projekte të përbashkëta, me çka bashkëpunimi i komunave apo mes pushtetit lokal bëhet thelbësor në drejtim të rritjes së komunikimit mes shqiptarëve në gjithë rajonin e Ballkanit, sepse kufijtë politik na ndajnë, por bashkëpunimi mes bashkive shqiptare po na bashkon”, deklaroi Bilall Kasami, Kryetar i komunës së Tetovës.





