
Deputeti Ziadin Sela, sot nga Kuvendi ka mbajtur konferencë për shtyp, në të cilën tha se ka informacione të sigurta brenda Qeverisë, se kjo e fundit ka ndaluar punimet për realizimin e Korridorit 8.
Sela tha se Qeveria nëpërmjet kushtëzimit financiar ndaj “Bechtel&Enka” mundohet të devijojë dhe ndalojë punimet për Korridorin 8 dhe në këtë formë të përjashtojë të gjithë Pollogun, lidhjen e Tetovës, Gostivarit, Kërçovës dhe Strugës.
“Bechtel Enka ka qenë e detyruar të lëshojë nga puna rreth 50 punëtorë pasi qeveria nuk i plotëson obligimet financiare që ka ndaj kësaj kompanie, në drejtim të realizimit të punimeve në Korridorin 8. Burime të sigurta brenda qeverisë flasin që Qeveria nëpërmjet këtij kushtëzimi financiar mundohet të devijojë dhe ndalojë punimet për Korridorin 8 dhe në këtë formë të përjashtojë të gjithë Pollogun, lidhjen e Tetovës, Gostivarit, Kërçovës dhe Strugës, në po të njëjtën mënyrë informacionet tona flasin Qeveria mundohet të ndalë punimet në Korridorin 8 dhe punimet të vazhdojnë në drejtim të segmentit Ohër – Manastir, në mënyrë që të bëhet lidhje me Korridorin 10-d”.
“Kur flasim për korridoret, shihet qartë tendenca për ta anashkaluar Korridorin 8 dhe në këtë mënyrë t’i hapet më shumë rrugë botës serbe, dhe qasje të Rusisë në Ballkanin Perëndimor. Duke ditur që Korridori 8, përveç dimensionit të zhvillimit ekonomik, ka edhe dimensionin gjeo-strategjik dhe gjeo-politik, për shkak të bashkimit të Detit të Zi me Detin Adriatik, ne i bëjmë apel Ambasadës së SHBA-ve, diplomatëve tjerë dhe ambasadave tjera të BE-së, të ngrenë alarmin dhe të shohin se në çfarë drejtim dhe çfarë bëhet me Korridorin 8”, tha Sela.
Ai gjithashtu e ftoi VLEN-in që të mos lejojnë këtë plan të Qeverisë, duke shtuar se ata janë në qeveri për të mbrojtur interesin e shqiptarëve./Telegrafi/




