
Pas vdekjes tragjike të Ivana Jovanovskës dhe vajzës së saj gjashtëvjeçare, të cilat humbën jetën pas rënies nga ballkoni, Sektori për Kontroll të Brendshëm i MPB-së ka nisur një hetim intensiv ndaj zyrtarëve policorë që kanë trajtuar rreth 10 denoncime për dhunë në këtë familje.
Dosja e familjes përmbante raportime të shumta për dhunë, kërcënime dhe prishje të rendit publik, të bëra si nga vetë e ndjera, ashtu edhe nga fqinjtë e saj.
Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit po pret raportin e kontrollit të brendshëm për të vlerësuar nëse ka përgjegjësi penale te policët që nuk parandaluan këtë fund fatal.
Ndërkohë, hetimet ndaj bashkëshortit, Stojançe Jovanovski, zbulojnë detaje rrëqethëse: ai e kishte rrahur Ivanën dy herë pikërisht në ditën e tragjedisë, ngjarje kjo e dokumentuar edhe me video-incizim. I dyshuari, i cili para mediave shfaqi vetëm grimasa dhe heshtje, ndodhet në paraburgim, ndërsa Prokuroria pohon se dhuna e vazhdueshme e kishte çuar viktimën në një situatë të pashpresë, duke e shtyrë drejt aktit të rëndë të vetëflijimit.
Në dritën e këtij rasti tronditës, MPB-ja ka publikuar statistika që tregojnë një rritje të aktiviteteve kundër dhunës në familje, me 21 padi penale të ngritura vetëm në dy javët e fundit. Megjithatë, rasti i Ivana Jovanovskës mbetet një alarm i rëndë për nevojën e një reagimi më të shpejtë dhe më efikas nga organet e rendit, për të parandaluar që denoncimet e viktimave të përfundojnë në statistika tragjike.



