
Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, sot hapi mbledhjen e Bordit Strategjik të Koordinimit të projektit “Mbështetje për Integrimin Evropian të Maqedonisë së Veriut”, e cila u mbajt në Ministrinë për Çështje Evropiane. Në takim morën pjesë përfaqësues të Qeverisë, ambasadorë të vendeve anëtare të BE-së, përfaqësues të Bashkimit Evropian, si dhe partnerë nga sistemi i Kombeve të Bashkuara, përfshirë Zyrën e OKB-së për Shërbime të Projekteve (UNOPS).
Në fjalën e tij, ministri Sali theksoi se integrimi evropian mbetet prioriteti më i lartë strategjik i Maqedonisë së Veriut dhe se pas përfundimit të procesit të screening-ut, fokusi tani zhvendoset drejt zbatimit konkret të reformave.
“Tani hyjmë në një fazë vendimtare – nga identifikimi i boshllëqeve kalojmë në mbylljen e tyre. Kjo kërkon kapacitete të forta institucionale, koordinim dhe zbatim të disiplinuar”, theksoi Sali.
Ai nënvizoi se Agjenda e Reformave duhet të kuptohet jo vetëm si një kornizë politike, por si një program operacional për zbatim, ku thelbësore janë prioritetet e qarta, afatet realiste dhe koordinimi efektiv ndërinstitucional.
Ministri Sali gjithashtu theksoi rëndësinë e partneritetit me organizatat ndërkombëtare dhe partnerët zbatues, si UNOPS, të cilët ndihmojnë që angazhimet politike të përkthehen në rezultate konkrete përmes ekspertizës teknike, mbështetjes në menaxhimin e projekteve dhe zbatimit transparent.
“Qëllimi ynë i përbashkët mbetet i qartë – anëtarësimi i plotë i Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Për ta arritur këtë nevojiten konsistencë, kredibilitet dhe rezultate”, deklaroi Sali.
Gjatë takimit u shqyrtua progresi i deritanishëm i projektit si dhe aktivitetet e planifikuara për periudhën e ardhshme, me qëllim forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve institucionale dhe koordinimit të proceseve reformuese.





