
Imami Nuhi Ganija është i ftuari i radhës në emisionin PodGo në emisionin Telegrafi Maqedoni, me të cilin kemi diskutuar për aktivitetin e tij të dhurimit të iftareve, muajin e Ramazanit, fenë Islame dhe edukimin në përgjithësi. Ai tregoi kur ka nisur me aktivitetin e dhurimit të iftareve dhe kush përfiton.
– YouTube Prodhim i Telegrafi Maqedoni Bejeni #Subscribe kanalin tonë në YouTube për më shumë video. Detajet: …
“Për katër vite u dhurojmë studentëve iftare në projektin Sofra e Ramazanit. Është sofra që i bashkon trojet shqiptare, ku studentët nga Kosova, Shqipëria, Lugina e Preshevës, Mali i Zi, por edhe studentët nga qytetet më të largëta jashtë fushës së Pollogut, i kemi në sofër. Kjo punë i ngjan Tetovës, pasi në Tetovë lindi universiteti. E kam amanet edhe nga babai im, i cili më thoshte që duhet të kujdesem për studentët dhe mundohemi t’ua dhurojmë atë ngrohtësi familjare e cila u mungon”, tha imami Ganija.
Ai tregoi për rëndësinë e diturisë në Islam, duke përmendur se fjalët e para të Zotit që i kanë zbritur Pejgamberit janë të shkurta, por me mesazhe të fuqishme.
“Fjalët e para që kanë zbritur nga Zoti janë të shkurta, por me mesazhe të fuqishme. Në këto pesë vargje Zoti përmend tre herë dijen, dy herë leximin dhe një herë lapsin. Gjitha këto janë ai brumi që i dhanë impakt shkencës dhe dijes. Islami i ka dhënë rëndësi të madhe dijes. Nëse analizojmë të gjitha kaptinat e Kuranit, vërejmë se Zoti përmend dijen mbi 500 herë, ndërsa zemrën e përmend 400 herë. Këto janë dy komponentët që e bëjnë të suksesshëm njeriun. Dija ka vend të pazëvendësueshëm në fenë Islame”, tha Ganija.
Sa i përket agjërimit, ai tha se ka dobi të shumta, por qëllimi kryesor është që njeriu të afrohet me Zotin, ndërsa përmendi edhe dobitë shëndetësore.
“Agjërimi para se gjithash është që njeriu të bëhet i devotshëm. Agjërimi kërkon edhe afrimin me Zotin edhe me njerëzit. Agjërimi që është nga shtyllat e fesë, ka edhe dobi të shumta tjera, si në aspektin shëndetësor, social dhe moral. Ramazani është stacion në të cilin organet tona qetësohen dhe për të djegur yndyrat tona të cilat ne i grumbullojmë gjatë gjithë vitit”, tha imami Ganija.





