
Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov ka reaguar lidhur me vendimin e prokuorisë për t’i dhënë arrest shtëpiak Artan Grubit.
Në një konferencë për shtyp, Filkov theksoi se Ministria e Drejtësisë nuk do të jetë dëshmitare e heshtur kur besimi i qytetarëve në sistemin ligjor tronditet, as nuk do të qëndrojë mënjanë kur publiku me të drejtë kërkon përgjigje.
“Deri më tani, duke respektuar parimin e ndarjes së pushteteve, nuk kam komentuar për vendime specifike gjyqësore dhe prokuroriale. Ky është themeli i sundimit të ligjit. Por kur vendimet ngrenë dilema serioze dhe vënë në pikëpyetje barazinë para ligjit, është detyra ime të kërkoj llogaridhënie”, theksoi Filkov.
Ai theksoi se ky është një person që ka qenë në arrati për 14 muaj, për të cilin u përcaktua rreziku i arratisjes, një rrezik që është materializuar – dhe se publiku ka të drejtë të dijë mbi bazën e të cilave fakte specifike dhe argumente ligjore është marrë vendimi për një masë më të butë.
Ministri u bëri thirrje publikisht të gjithë atyre që janë përfshirë në procedurë të japin një shpjegim të detajuar dhe transparent për vendimet e tyre, duke theksuar se përgjegjësia duhet të gjendet me emër dhe mbiemër.
“U bëj thirrje publikisht të gjithë aktorëve në procedurë të japin një shpjegim:
Prokurori Publik Daniel Kocev – të shpjegojë, mbi bazën e të cilave fakte dhe argumente specifike ligjore është dhënë një mendim pozitiv për zëvendësimin e paraburgimit?
Kreu i Prokurorisë Anel Fidoski – a qëndron ai pas këtij vendimi dhe a e konsideron këtë si një mesazh për zbatim të barabartë të ligjit?
Gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale të Shkupit, Marin Stanevski – cilat rrethana e tejkalonin rrezikun e arratisjes për një person që ka qenë i paarritshëm për 14 muaj?”, deklaroi Ministri i Drejtësisë.
Ai informoi se kishte kërkuar edhe një shpjegim nga institucionet kompetente në lidhje me kushtet në mjediset e paraburgimit dhe njoftoi mbikëqyrje të jashtëzakonshme në mjediset penale dhe korrektuese me qëllim përcaktimin e situatës së sigurisë./Telegrafi/





