
Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, thotë se Qeveria nuk po shqyrton kufizimin e qasjes në rrjetet sociale për të miturit nën moshën 15 vjeç, duke vlerësuar se një veprim i tillë do të ishte shumë radikal dhe do të nënkuptonte ndërhyrje nga shteti në të drejtat dhe liritë themelore.
Andonovski e tha këtë në përgjigje të pyetjeve gazetareske, me rastin e shënimit të Ditës së Internetit më të Sigurt, nëse Maqedonia do të ndjekë hapat e disa vendeve, disa prej të cilave janë anëtare të Bashkimit Evropian (BE), ku po zhvillohen diskutime për të kufizuar qasjen në rrjetet sociale për të miturit.
“Kemi vënë re edhe peticione në Maqedoni. Bëra një koment. Vitin e kaluar, në kuadër të këtij projekti, prezantuam një mënyrë kontrolli në të gjitha shkollat, përmes së cilës prindërit mund të kontrollojnë se cilat aplikacione mund të kenë fëmijët e tyre në telefonat e tyre celularë dhe pajisje të tjera, sa kohë mund të kalojnë me to dhe çfarë përmbajtjeje u lejohet ose nuk u lejohet të ndjekin. Ne besuam se kjo ishte një mënyrë për të parandaluar rreziqet e internetit, dhe që prindërit të mbajnë kontrollin, dhe jo që shteti të marrë përsipër. Është kontrolli i mjeteve që janë jashtëzakonisht private. Ato përdoren nga prindërit, fëmijët, dhe do të ishte ndërhyrje nga shteti në punët e brendshme të çdo familjeje”, deklaroi Andonovski.




