
Koalicioni VLEN ka reaguar sot sërish për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke akuzuar Bashkimin Demokratik për Integrim.
Ata thonë se BDI sot po bën zhurmë e ulërima për gjuhën shqipe, ndërsa është vetë autori i padrejtësisë më të madhe ndaj saj.
“Koalicioni rikujton se në vitin 2019, kur kishte pushtetin absolut, kur kontrollonte Qeverinë, ministritë dhe shumicën parlamentare, BDI miratoi provimin e jurisprudencës vetëm në gjuhën maqedonase. Ju e nënshkruat këtë padrejtësi me dorën tuaj, dhe sot guxoni të luani teatër para shqiptarëve.Të flisni për Kushtetutë e barazi është fyerje për inteligjencën e shqiptarëve. Sepse kur kishit mundësinë, gjuhën shqipe e latë jashtë drejtësisë. Jo nga pamundësia, por nga pazari politik. Sot kërkoni llogari për një gjendje që mban vulën tuaj”, thuhet në reagimin e VLEN-it.





