
Fushata e katërt e rivlerësimit të pronave pritet të nisë në shkurt. Aktualisht, ky proces është ende peng i akteve nënligjore që duhet të përgatiten nga Ministria e Financave, çka do të thotë se qytetarët që duan të rivlerësojnë pronat nuk mund të përfitojnë akoma nga norma tatimore prej 5%.
Reinaldo Pipiria, kryetar i shoqatës së ndërmjetësve të pasurive të paluajtshme, NAREA, në një lidhje të drejpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus, me gazetarin Aleksandër Furxhiu tha se interesi i qytetarëve për të rivlerësuar pronat është i lartë.
Ai nënvizoi se procesi është i rëndësishëm jo vetëm për pronarët që planifikojnë të shesin pronat e tyre, por edhe për ata që kanë pasuri të trashëguara ose të dhuruara, për shkak të ndryshimeve në bazën tatimore dhe dinamikat e tregut, ku çmimet e pasurive kanë shënuar rritje mesatare prej 12% në të gjithë Shqipërinë.
Kryetari i NAREA dha gjithashtu këshillën kryesore për qytetarët’ të shfrytëzojnë këtë periudhë të fundit të rivlerësimit, që do të zgjasë vetëm 10 muaj nga hyrja në fuqi e ligjit, për të përditësuar vlerën e pronave të tyre dhe për të përfituar maksimalisht nga procesi.
Intervista e plotë
-Ky është rivlerësimi i katërt që bëhet në Shqipëri duke pasur parasysh që i pari është bërë rreht vitit 2010-2011. Ka nisur me 1% në atë kohë dhe sot jemi me 5%. Sipas mendimit tuaj sa interes ka publiku në këtë rivlerësim, në këtë proces?
Pipiria: Ne vlerësojmë që interesi është i lartë. Kemi komunikuar në fund të 2025, fillim 2026 në momentin që ligji po vononte të dekretohej. Në atë moment na ka rezultuar rreth 5500 kontrata të cilat ishin gati për t’u futur në proces rivlerësimi. Mendojmë që tani duhet të jetë më tepër, duhet të ketë kaluar numri 6000 sepse në momentin që ligji u botua pritshmëritë ishin të larta që do të hynte në fuqi më 22 janar dhe do të fillonte të ishte i efektshëm. Praktikisht vetëm për një muaj ne kemi parë që numrat kalojnë 6000 kontrata.
-A do të kishte interes për këtë vlerësim dikush, një pronar, i një prone të paluajtshme që e ka vlerësuar në një nga proceset e mëparshme.
Pipiria: Ne besojmë që ka interes edhe për shkak të dinamikave që ka pasur tregu i pasurive të paluajshme, edhe sikur ta kishin vlerësuar në 2021-2022. Nëse po planifikon që ta tregtosh patjetër që do të ishte e udhës që ta rivlerësoje tani, për shkak se çmimet kanë pësuar rritje me 12% të paktën mesatarisht në Shqipëri, pa folur për projektet e reja që kanë pasur pak trend më të lartë të rritjes.
-Po nëse dikush ka një pronë të dhuruar apo të trashëguar, a do të kishte interes?
Pipiria: Ata kanë akoma më tepër interes, për shkak se në procesin e trashëgimissë, në momentin që prona trashëgohet edhe pse mund të jetë rivlerësuar dhe tatimet janë paguar nga trashëguesi më herët, në kartelë ato kalojnë me vlerë zero. Në momentin kur ti dëshirosh ta tregtsoh, hapësira mes kostos që ti ke marrë në pronësi dhe çmimit të shitjes, është akoma më e madhe. Parimisht ne sugjerojmë që kushdo që ka fituar pronë përmes procesit të legalizimit dhe e ka të certifikuar, kushdo që ka fituar me trashëgimi, patjetër që duhet ta rivlerësojë pronën sepse baza tatimore është shumë e lartë.
-Nëse do të kishit një listë të këshillave që do t’i jepnit njerëzve për aspekte të ndryshme të këtij procesi, cila do të ishte këshilla kryesore? Çfarë duhet të bëjnë apo çfarë nuk duhet të bëjnë?
Pipiria: Sugjerimi kryesor është që të shfrytëzojnë të gjithë hapësirën e ngelur në dispozicion. Nuk është më 12 muaj, do të jetë vetëm 10 muaj, nëse hyn në fuqi në mes të shkurtit. Mendoj që është fushata e fundit e rivlerësimit dhe ky është momenti për të rivlerësuar pronën.









