Një avion i vogël është rrëzuar në Liqenin e Mavrovës gjatë ditës së sotme.
Sipas mediave vendase, në avion kanë qenë dy shtetas të Kosovës, të cilët kanë pësuar lëndime dhe janë dërguar në Spitalin e Gostivarit për ndihmë mjekësore.
Në rrjetet sociale janë publikuar pamje nga vendi ku është rrëzuar avioni, i cili shihet se ka përfunduar në ujërat e Liqenit të Mavrovës.
Avioni rezulton se është i prodhuar në vitin 1961, ndërsa është i regjistruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas të dhënave, avioni ka qarkulluar edhe më herët në hapësirën ajrore të Maqedonisë së Veriut.
“Sot (12.12.2025) në ora 12:35 në SPB Tetovë – DPB Gostivar është raportuar se një avion i vogël sportiv ka rënë në Liqenin e Mavrovës, në afërsi të digës “Kanali i Beliçit”. Sipas raportimit, nga avioni në tokë kanë arritur të dalin dy shtetas kosovarë, XH.P.(41) dhe D.M.(64), i cili drejtonte mjetin fluturues. Ata kanë pësuar lëndime dhe janë transportuar në Qendrën Mjekësore Gostivar për të marrë ndihmë mjekësore. Punonjës policie nga Departamenti i Policisë Mavrovë kanë dalë menjëherë në vendngjarje dhe gjatë bisedës me ta, D.M. ka deklaruar se për shkak të një problemi me motorin ka aterruar në liqen”, njoftuan autoritetet.








