
Një tjetër shembje masive ka ndodhur mëngjesin e sotëm në aksin rrugor Qukës-Qafë Plloçë, ku një masiv dheu e gurshë është shkëputur nga skarpatat e rrugës dhe ka rënë në rrugë duke bërë bllokimin e saj, kjo ka ardhur si pasojë e reshjeve të shumta të ditëve të fundit.
Për shkak të rrezikut dhe për të garantuar sigurinë e përdoruesve të rrugës, qarkullimi i automjeteve është devijuar në një korsi të re, e cila ishte hapur disa ditë më parë nga firma kontraktuese, pasi pritej që një situatë e tillë të ndodhte.
Nga ana e kompanisë ndërtuese është realizuar një bypass, i cili mundëson kalimin e mjeteve në të dy drejtimet, duke shmangur bllokimin total të qarkullimit në këtë segment problematik.
Shembje të tilla janë përsëritur disa herë në këtë aks, veçanërisht në lotin e tretë, ndërsa kjo konsiderohet shembja e dytë masive në këtë segment rrugor. Sipas specialistëve, situata ishte e parashikueshme, pasi terreni ku është ndërtuar rruga paraqet paqëndrueshmëri të theksuar.
Autoritetet dhe policia rrugore po monitorojnë situatën në terren dhe u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes gjatë qarkullimit në këtë zonë.
/vizionplus.tv









