
Pas dy ditësh pune intensive, është mbyllur argjinatura e çarë në Rrile.
Mjete të shumta të ushtrisë, bashkisë dhe subjekteve private u bashkuan në ndërhyrjen emergjente për të vënë nën kontroll prurjet e ujërave të lagunës së Vainit, të cilat përmes çarjes kishin depërtuar duke përmbytur qindra hektarë tokë bujqësore dhe duke rrethuar dhjetëra banesa.
Pas përfundimit të punës më të vështirë të këtyre dy ditëve dhe vështirësive të krijuara, kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, tha se u bënë përpjekje të mëdha për të arritur sukses.
Çarja e argjinaturës shkaktoi vërshimin e ujërave të lagunës drejt tokave bujqësore, duke përmbytur qindra hektarë sipërfaqe dhe duke sjellë izolim të përkohshëm për disa zona.
Dhjetëra banesa u rrethuan nga uji, ndërsa familjet u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre deri në stabilizimin e situatës. Autoritetet lokale dhe strukturat e emergjencës u angazhuan maksimalisht për të shmangur përkeqësimin e mëtejshëm dhe për të rikthyer normalitetin në zonë.









