
Situata përgjatë lumit Vjosë mbetet problematike, pavarësisht se reshjet e shiut janë pakësuar.
Gazetarja e Vizion Plus, Efrosina Papa në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve, tha se niveli i ujit arriti kuotën maksimale prej 8.30 metrash në orët e para të mëngjesit, ndërsa më vonë filloi të tërhiqej duke zbritur në 7.8 metra.
Megjithatë, thotë gazetarja, rreziku mbetet prezent, pasi prurje të mëdha nga Tepelena dhe Përmeti vazhdojnë të vijnë drejt Vjosës, duke e kthyer atë në pikën më nevralgjike të situatës.
Ndërkohë Papa shton se mbrëmjen e së enjtes u evakuuan 14 familje në Novoselë dhe Fitore, ndërsa toka bujqësore rreth zonës vijon të jetë nën ujë.
Pjesë nga intervista:
A vijojnë reshjet dhe a ka ende rrezik për daljen e lumit Vjosë nga shtrati?
Papa: Për shkak të reshjeve të dendura me intensitet të lartë të shiut dhe prurjeve të mëdha në lumin Vjosë, situata në zonën përreth vijon të mbetet problematike dhe shqetësuese. Rreth orës 06:00 të mëngjesit, ujërat e lumit arritën kuotën maksimale, 8.30 metra. Ndërkohë, pas orës 10:00 të ditës së sotme, filloi të largohet uji. Aktualisht, niveli i ujit tashmë është në kuotën 7.8 metra. Po përsëri themi që lumi Vjosë është një pikë nevralgjike. Mbrëmjen e së enjtes janë evakuuar disa familje, 11 familje nga Novosela dhe 3 familje nga fshati Fitore. Tokat bujqësore rreth zonës janë të pushtuara nga uji, por fatmirësisht ato nuk ishin të mbjella. Rreth mesditës, uji që vërshoi në Novoselë arriti të përmbytë një territor. U mundësua evakuimi i bagëtive, por nuk u shpëtua dot ushqimi i tyre, i cili u përmbyt së bashku me mjediset e territorit.
Në qoftë se i rikthehemi Vjosës, ajo është pika nevralgjike së cilës nuk i zihet besë për momentin. Themi që ka rënie të ndjeshme, ka tërheqje të ujit, por lajmet nga Tepelena dhe Përmeti vijnë dhe thonë që ka prurje të mëdha të lumit. Kështu që vigjilenca është patjetër.
Në qoftë se i referohemi Bashkisë Vlorë, edhe pse uji i shiut nuk ka ndalur gjithë ditën, nuk ka pasur asnjë problem. Dy hidrovorët e qytetit janë me kapacitet të plotë. Në qoftë se shkojmë pak më tej në rrethin e Vlorës, Bashkia e Selenicës ka pasur një problem me shkarje dhe rrëshqitje dherash në segmentin Romës-Selenicë, i cili është riparuar. Një gjë e tillë ka ndodhur edhe në Bashkinë e Himarës, aksi Shën Vasil-Nivicë, i cili gjithashtu është riparuar dhe ka mundur të fillojë qarkullimin.
/vizionplus.tv









