
Oficerët e Policisë Kombëtare arrestuan në Spanjë një shtetas shqiptar të kërkuar nga autoritetet e Shqipërisë për trafik droge dhe pjesëmarrje në një organizatë kriminale. I ndaluari ishte arratisur nga vendi i tij për t’iu shmangur përballjes me drejtësinë, ku përballet me një dënim që mund të arrijë deri në 30 vite burg.
Sipas njoftimit të Policisë Kombëtare, arrestimi u krye të premten nga Grupi i Operacioneve për Parandalimin e Krimit. Fillimisht, burri u identifikua si shtetas kroat, por pas verifikimeve rezultoi se ai kishte përdorur dokumente të falsifikuara. Kontrolli i mëtejshëm konfirmoi se ndaj tij ishte lëshuar një urdhër-arresti ndërkombëtar nga Interpoli që nga maji i kaluar, me kërkesë të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri.
Hetimet lidhur me aktivitetin e tij kriminal datojnë që nga shtatori i vitit 2020, kur ai zhvilloi komunikime me dy trafikantë droge në lidhje me një ngarkesë që synohej të shpërndahej në Itali. Detyra e tyre ishte analiza e një mostre të lëndës narkotike përpara transportit.
Më vonë, i arrestuari njoftoi bashkëpunëtorët se autoritetet shqiptare kishin kontrolluar banesën e tij, duke sekuestruar 100 gram heroinë dhe pajisje për bllokimin e sinjalit. Pas këtij aksioni ai u vendos në arrest shtëpiak, por vazhdoi përpjekjet për të fshehur lëndët narkotike dhe për të vijuar aktivitetin e tij të paligjshëm.
Aktualisht, ai ndodhet në paraburgim në Spanjë, në pritje të procedurave të ekstradimit. Sipas autoriteteve shqiptare, ai akuzohet për trafik narkotikësh në bashkëpunim me një organizatë të strukturuar kriminale, vepra për të cilat rrezikon dënimin maksimal prej 30 vjetësh burg./vizionplus.tv









