
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) njofton se 75 ton misër nga Serbia janë bllokuar në doganën e Hanit të Hotit, duke e çuar në 100 tonë totalin e sasive të ndaluara vetëm pak ditë pas një bllokimi të mëparshëm prej 25 tonësh nga i njëjti eksportues.
Sipas AKU Shkodër, misri do t’i nënshtrohet analizave laboratorike për të përcaktuar nëse përmban nivel të lartë të aflatoksinës B1, një substancë toksike dhe kancerogjene që tejkalon normat e lejuara në Shqipëri.
Po ashtu, një fermë në fshatin Trush është bllokuar pasi sistemi i gjurmueshmërisë tregoi se ajo furnizohej me misër blegtoral nga subjekti i ndaluar në doganë. Burime nga dogana bëjnë të ditur se aktualisht janë rreth 200 tonë misër të bllokuar, për të cilat do të kryhen analizat përkatëse. Në rast të konfirmimit të pranishmërisë së substancave të ndaluara, mallrat nuk do të lejohen të hyjnë në territorin shqiptar.
Gjithashtu, AKU Shkodër ka marrë 6 masa paralajmëruese ndaj farmacive bujqësore për parregullsi të konstatuara gjatë kontrolleve.
/vizionplus.tv









