
Kryeministri hungarez, Viktor Orban, tha se vendi i tij ka përfituar përjashtim nga sanksionet amerikane sa i përket blerjes së energjisë ruse.
Këto deklarata ai i bëri pas bisedimeve që zhvilloi me presidentin amerikan, Donald Trump, në mes të një bllokimi të përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
“Ne kemi marrë një përjashtim të plotë nga sanksionet për gazsjellësit TurkStream dhe Druzhba”, tha Orban nga Uashingtoni.
Lidhur me këtë ende nuk kanë reaguar zyrtarët amerikanë. Megjithatë, më herët Trump tha se do ta shqyrtonte një gjë të tillë, duke pranuar se Hungaria ka opsione të kufizuara sa i përket importit të energjisë.
“Po e shikojmë këtë sepse është shumë e vështirë për të që të sigurojë naftë dhe gaz nga zona të tjera.”
Orban, që shpesh ka kritikuar Evropën për atë që e cilëson si qëndrim të ashpër ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës, tha se energjia ruse është jetike për Hungarinë. Ai shtoi se pozita gjeografike e Hungarisë e kufizon shtetin dhe e detyron që të blejë naftë ruse përmes naftësjellësit Druzhba, që kalon nëpër territorin e Ukrainës. Ndërprerja e qasjes do të kishte pasoja të rënda për hungarezët, tha Orban, duke shtuar se çështja nuk ka të bëjë me politikën.
Gjatë takimit, Trump kritikoi shtetet e tjera evropiane për blerjen e energjisë ruse, duke sugjeruar se ato janë në një pozicion më të mirë se Hungaria, e cila në lindje kufizohet me Ukrainën e shkatërruar nga lufta.
/vizionplus.tv









