
Ish kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha është paraqitur pasditen e kësaj të enjte në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, SPAK.
Lajmi konfirmohet nga gazetarja e Vizion Plus Blerina Cene.
Gazetarja mëson se Basha është thirrur nga prokurori Alfred Shehu, ku do të pyetet në cilësinë e Ministrit të Brendshëm të kohës në 2011 për protestën e 21 janarit, ku mbetën të vrarë katër persona.
Kujtojmë se vendimi i Gjykatës së Strasburgut që e quajti “krim shtetëror” ngjarjen e 21 janarit, i hapi rrugë hetimeve nga SPAK, duke regjistruar procedimin penal me datë 15 korrik 2024, edhe pas një vendimi të Gjykatës së Lartë, për 3 vepra penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në bashkëpunim, kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, “Shpërdorim i detyrës”, e kryer në bashkëpunim dhe “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, e kryer në bashkëpunim. Tashmë SPAK, ka dosjen në dorë të zbardhë rolin e ish-kryeministrit Sali Berisha, ish-ministrit të Brendshëm Lulzim Bashës, ish-kreut të Gardës Ndrea Prendit e të tjerëve në vrasjen e 4 qytetarëve të pafajshëm.
Familjarët e 4 viktimave, Ziver Veizi, Aleks Nika, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj kërkojnë të dënohen urdhëruesit dhe zbatuesit e kësaj vrasje shtetërore në mes të ditës, në mes të bulevardit përpara Kryeministrisë 14 vite më parë./vizionplus.tv









