
Shoferi i motoçikletës që më 1 korrik të këtij viti e përplasi Jugoslav Nikolovskin (68) në një shteg për këmbësorë në bregun e Vardarit pranë Parkut të Frankofonisë, u deklarua fajtor sot para Gjykatës Themelore Penale në Shkup.
Njëzet e pesë vjeçari Faton Luri u deklarua fajtor para Gjykatës për veprën penale “krime të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në trafik”, ndërsa do të mbrohet dhe do të paraqesë prova për veprën penale “mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në aksident trafiku”.
“Ndihem fajtor për aksidentin, nuk do të doja që kjo t’i ndodhte askujt. Ngushëllimet e mia më të thella familjes. Nëse do të mundja të ndryshoja diçka, do ta bëja. Sa i përket ofrimit të ndihmës, do ta kisha ofruar ndihmë. Nëse do të kishte kamera atje… Po them se i kam ofruar ndihmë të ndjerit dhe nuk ndihem fajtor për këtë”, tha Luri.
Familja e të ndjerit Jugoslav Nikolovski njoftoi një kërkesë për dëmshpërblim, ndërsa pasagjeri në motoçikletë tha se nuk po kërkon dëmshpërblim dhe nuk po i bashkohet ndjekjes penale të të akuzuarit./Telegrafi/