
Ka shkuar në tre numri i të arrestuarve në lidhje me vrasjen tronditëse të gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili u ekzekutua me armë zjarri brenda sallës së Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, teksa po ushtronte detyrën e tij.
Përveç autorit të ngjarjes, 30-vjeçarit Elvis Shkambi, tashmë në pranga kanë përfunduar edhe xhaxhai i tij, Gjon Shkambi, si dhe roja i sigurisë së gjykatës, për të cilin dyshohet se ka neglizhuar në kontrollin e personave që hynin në sallë.
Ngjarja ndodhi në mesditën e së hënës, më 6 tetor, pasi gjyqtari Kalaja shpalli një vendim që nuk shkonte në favor të xhaxhait të autorit. Në atë moment, Elvis Shkambi nxori armën dhe qëlloi tre herë në drejtim të gjyqtarit, duke i shkaktuar vdekjen.
Më pas, ai hapi zjarr edhe ndaj palës kundërshtare në proces, babë e bir, Ragip dhe Ervis Kurtaj, të cilët mbetën të plagosur.
Hetimet janë në zhvillim dhe autoritetet po verifikojnë të gjitha rrethanat e ngjarjes, përfshirë edhe mënyrën se si autori mundi të fuste armën në ambientet e gjykatës.
/vizionplus.tv