
Juventusi duket se po shfaq interes të madh për talentin kosovar Edon Zhegrova, i cili aktualisht luan te Lille.
Sipas gazetarit të njohur Fabrizio Romano, klubi italian ka kontaktuar së fundmi për të marrë informacione mbi gjendjen e lojtarit dhe mundësinë për ta transferuar atë gjatë javëve të fundit të merkatos.
“Juventus ka kontaktuar për të marrë informacion mbi Edon Zhegrovën si një opsion për javët e fundit të merkatos”, shkruan Romano, duke treguar se bardhezinjtë e konsiderojnë Zhegrovën një opsion të mundshëm për përforcimin e skuadrës.
Megjithatë, situata nuk duket se është e qetë për Juventusin. Olympique Marseille po zhvillon bisedime të avancuara për lojtarin, duke e konsideruar Zhegrovën targetin kryesor të skuadrës.
“Olympique Marseille është në bisedime të avancuara, pasi Edon Zhegrova është objektivi i tyre kryesor, siç është zbuluar ekskluzivisht,” shton Romano, duke theksuar se francezët janë duke e ndjekur situatën nga afër dhe mund të përfundojnë marrëveshjen para përfundimit të merkatos.
Juventus bën hapat e parë për Zhegrovën, por Marseille mbetet konkurrenca kryesore / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.