
Në platformën “ENER” janë publikuar propozim ndryshimet ligjore për sigurinë në trafik, ku përpos rritjes së gjobave, me ligj do të rregullohet edhe përdorimi i kamerave të sigurisë, por do të ketë edhe gjoba të reja për këmbësorë, ngasësit e biçikletave, motoçikletave dhe trotinetëve.
“Përpos kamerave të sigurisë të cilat janë vendosur nëpër bulevarde e udhëkryqe, të cilat do të regjistrojnë çdo shkelje të mundshme në komunikacion, risi në ndryshimet ligjore ka edhe për këmbësorët të cilët gjatë kalimit në udhëkryqe, nuk guxojnë të përdorin telefon, nuk guxojnë të përdorin orë smart, nuk guxojnë të përdorin as kufje, ndërsa këto rregulla vlejnë edhe për përdoruesit e motoçikletave, biçikletave por edhe trotineteve”, raporton Zekirija Haxhiu – Gazetar.
Për shkeljet e lartpërmendura, për këmbësorët është paraparë gjobë prej 40 eurove ndërsa për ngasësit e trotinetëve, biçikletave, dhe llojeve të ndryshme të motoçikletave, gjobë prej 50 eurosh. Për kalim në të kuqe, përpos gjobës, do të shqiptohet edhe ndalesë për ngasje të veturës, nga tre deri në dymbëdhjetë muaj. Qytetarët thonë se këto ndryshime ligjore është dashur të sillen shumë më herët.
Me ndryshimet ligjore, nga 1 janari 2026, në funksion do të vendosen edhe kamerat e sigurisë të cilat do të fotografojnë dhe do të incizojnë automatikisht. Me incizim, nënkuptohet mbikëqyrje e vazhdueshme në vendet publike ndërsa incizime do të bëhen edhe me vetura speciale të pajisura të MPB-së. Incizimi i materialit në polici rruhet gjashtë muaj ndërsa më pas shkatërrohet, përpos nëse materiali nevojitet në procedurë penale. Gjobat për shkeljet e konstatuara do të dërgohen me sms porosi dhe gjobat do të mund të paguhen në mënyrë elektronike përmes linkut që do të dërgohet me mesazh.
Nëse kryerësi nuk e pranon shkeljen, ka të drejtë që në afat prej 8 ditësh, dokumentet që i ka marrë përmes njoftimit, t’i dorëzojë në Gjykatën kompetente, që do të shërbenin si kërkesë për fillimin e procedurës së shkeljes. Nëse pronari i makinës nuk e ka drejtuar automjetin, gjatë kohës që është kryer shkelja, ai është i obliguar që në afat prej 8 ditësh të jep të dhënat e identitetit të personit që ia ka dhënë makinën. Këtë do ta bëjë në stacion policor, bashkë me personin që e ka kryer veprën, ose i vetëm. Nëse dikush e merr përsipër fajin për veprën që nuk e ka kryer, do të gjobitet me 500 euro./Alsat/
Publikohen ndryshimet ligjore për sigurinë në trafik – gjoba të reja për këmbësorët dhe drejtuesit e trotinetëve appeared first on Telegrafi.