
Shtëpia muze e poetit dhe rilindasit të njohur, Pashko Vasa është lënë në mëshirë të fatit.
Ndërtesa karakteristike rreth 300 vjeçare, shërbeu edhe si degë e lidhjes së Prizrenit. Por edhe pse është një ndër më të vjetrat e të rrallat në Shkodër, dhe gëzon statusin e monumentit të kategorisë së parë, e mbrojtur nga shteti, po shkon drejt rrënimit.
“Dy shkresat e fundit dërguar institucioneve shtetërore për të mësuar mbi fatin e kësaj banese dhe investimit të munguar, kanë rënë në vesh të shurdhët, edhe pse thuhet që procedurat kanë nisur”, tha Rajmonda Vasa, kryefamiljare.
Vizion Plus kërkoi një informacion zyrtar në drejtorinë rajonale të trashëgimisë kulturore në Shkodër, qe e pranon gjendjen e rënduar në këtë banesë. Autoritetet shprehen se gjatë këtij viti do të zbatohet një investim prej një milionë lekësh në pjesën e çatisë e cila është edhe më e rrezikuara.
Por punimet kanë mbetur peng pasi pritet të merret certifikata e pronësisë në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës. /vizionplus.tv








