Michal Probierz ka dhënë dorëheqjen nga posti i trajnerit të kombëtares së Polonisë, duke e mbyllur një kapitull të shoqëruar nga tensione të brendshme dhe rezultate të luhatshme.

Humbja 2-1 nga Finlanda ishte pika kulmore që i dha fund aventurës së tij në krye të skuadrës, ndërsa marrëdhënia e acaruar me kapitenin Robert Lewandowski kishte kohë që mbushte faqet e mediave.

Vetëm pak ditë më parë, Lewandowski njoftoi largimin nga kombëtarja pas një përplasjeje të fortë me trajnerin, që kulmoi me humbjen e shiritit të kapitenit.

Tani, me dorëheqjen e Probierz, duket se lojtari veteran “ka fituar” këtë betejë të brendshme.

Në një deklaratë emocionale, Probierz tha:

“Kam arritur në përfundimin se në situatën aktuale, vendimi më i mirë për të mirën e ekipit kombëtar është dorëheqja ime. Ishte nderi më i madh i jetës sime të drejtoja këtë skuadër. Falënderoj lojtarët, kolegët dhe tifozët që më kanë mbështetur gjatë gjithë kësaj periudhe.”

Në 21 ndeshje në krye të Polonisë, ai arriti ta kualifikojë ekipin në Euro 2024 dhe të sigurojë një barazim të vlefshëm ndaj Francës, por tensionet e brendshme dhe rezultatet e fundit e lanë të pambrojtur, përcjell koha jone.

Tani Polonia nis kërkimin për një trajner të ri, në një moment delikat për skuadrën që kërkon stabilitet dhe ringritje pas turbulencave të brendshme.

Trajneri i Polonisë jep dorëheqje pas kaosit me Lewandowskin / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Share.
Exit mobile version