Kapiteni i Kombëtares së Portugalisë, Cristiano Ronaldo, nuk mori pjesë në ceremoninë mortore të ish-bashkëlojtarit të tij Diogo Jota dhe vëllait të tij Andre Silva, të cilët u varrosën sot (e shtunë) në Gondomar, Portugali.
Ronaldo, lojtari me më së shumti paraqitje në historinë e Portugalisë, pritej të udhëtonte për në Gondomar për të nderuar një bashkëlojtar me të cilin kishte ndarë fushën e gjelbër për vite me radhë. Por, ai mungoi si në homazhet e një dite më parë, ashtu edhe në ceremoninë e varrimit, ndonëse aty ishin të pranishëm shumë futbollistë të Kombëtares portugeze dhe të klubeve ku kishte luajtur Jota.
Sipas mediave lokale në Spanjë, Ronaldo ndodhet aktualisht me pushime në Palma de Mallorca, ku është parë në dy destinacione luksoze.
Mungesa e tij ka shkaktuar reagime të ashpra nga gazetarë dhe analistë sportivë në Portugali. Antonio Ribeiro, gjatë meshës mortore, u shpreh i zhgënjyer me mungesën e kapitenit.
“Është kapiteni i Kombëtares. Të gjithë e prisnim të ishte aty. Ndoshta ka ndonjë arsye që nuk e dimë, por nëse nuk erdhi, duhet të japë një shpjegim. Ka përgjegjësi, është kapiten”, ka thënë ai.
Më i ashpër në reagim ishte komentatori sportiv Luis Cristovao, i cili e quajti të pashpjegueshme mungesën e Ronaldos.
“Përderisa është e pashpjegueshme, çdo arsyetim nuk do të jetë i mjaftueshëm për atë që ka munguar”, u shpreh ai.
Ndërsa analisti Pedro Fatela paralajmëroi se kjo çështje do të jetë temë diskutimi për ditë të tëra.
“Kjo mungesë do të diskutohet për ditë të tëra. Do ta kuptojmë pse nuk mundi të udhëtonte për në Gondomar, por ai është kapiten. Të gjithë e prisnim të paraqitej”, përfundoi ai.
Mungesa e Ronaldos në varrimin e Jotas shkakton reagime të ashpra në Portugali / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.