Rio Ferdinand ka parë plot lojtarë të klasit botëror që kanë ardhur e shkuar gjatë kohës së tij te Manchester United, ndaj është në pozitë të mirë për të krahasuar Cristiano Ronaldon me disa nga bashkëkohësit e tij.

Ferdinand ishte shtylla e mbrojtjes në ekipet e mëdha të Sir Alex Ferguson në fillim të viteve 2000, duke formuar një dyshe të pathyeshme me Nemanja Vidić dhe duke fituar gjashtë tituj të Premier Leagues si dhe Ligën e Kampionëve në vitin 2008.

Tashmë si analist i njohur sportiv, Ferdinand po ndjek United gjatë turneut parasezonal në SHBA, ku do të përballen me West Hamin në New York, Bournemouthin në Chicago dhe Evertonin në Atlanta.
Ai është i shoqëruar nga ish-bashkëlojtari dhe legjenda tjetër e klubit, Wayne Rooney, ndërkohë që po krijojnë përmbajtje për kanalin e tij në “YouTube” gjatë këtij turneu.

Gjatë një bisede me Rooneyn, para se të bashkoheshin me skuadrën, Ferdinand kujtoi reagimin e tij të habitur pas debutimit madhështor të Rooneyt në vitin 2004, pas transferimit të tij prej 25 milionë paundësh nga Evertoni.

Sulmuesi realizoi një hat-trick spektakolar në Ligën e Kampionëve ndaj Fenerbahçes dhe dha një asist, duke u prezantuar me stil para publikut të “Old Trafford”. Ferdinand kujtoi atmosferën në dhomat e zhveshjes pas ndeshjes.

“Asnjë lojtar tjetër gjatë gjithë karrierës sime nuk na ka bërë të ndiheshim kështu,” i tha Ferdinand Rooneyt.

“Loja ndaj Fenerbahçes, bëre tregolësh, disa gola fantastikë. Ryan Giggs kishte rreth shtatë tituj të Premier Leagues në atë kohë dhe ti i the të tërhiqej nga goditja e lirë sepse do ta godisje ti”.

“Mbaj mend që isha në dhomën e zhveshjes pas ndeshjes, duke parë përreth – Ruud van Nistelrooy, madje edhe Giggsy. Vetëm po thonim: ‘Shih kush kemi në skuadër! Kemi një superyll. Ai është si një alien.’”

Ferdinand madje insistoi se debutimi i Rooneyt kishte më shumë ndikim sesa ai i Cristiano Ronaldos një vit më parë, pavarësisht se portugezi më vonë arriti nivele më të larta në karrierë sesa Rooney.

“Asnjë lojtar tjetër nuk më ka bërë të ndihem ashtu,” vazhdoi Ferdinand. “Edhe Cristiano erdhi, por ndikimi i tij i menjëhershëm nuk ishte si ai që pate ti.”

Rooney, me stilin e tij të qetë, e minimizoi atë mbrëmje të paharrueshme, duke thënë:

“Ishte e çuditshme, ishte tregolëshi im i parë. U ktheva në hotel me disa miq, pimë një gotë verë dhe shkova për të fjetur. Vetëm po mendoja çfarë ndodhi sapo? Që aty nisi gjithçka – besimi dhe vetëbesimi. As që e kisha imagjinuar të shënoja një tregolësh në debutim”./Express/

Ferdinand ‘zgjedh’ lojtarin që pati ndikim të menjëhershëm në klub – nuk është Ronaldo / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Share.
Exit mobile version