Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka paralajmëruar se nëse nuk ka konstituim të Kuvendit “shumë shpejt”,  do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për sqarim se cilat janë pasojat juridike të moskonstituimit brenda afatit 30 ditësh, shkruan gazeta online Reporteri.net.

“Në qoftë se nuk ka konsituim të Kuvendit shumë shpejt, planifikoj t’i drejtohem Gjykatës me kërkesë për sqarim lidhur me atë se çka pas 30 ditësh, duhet të sqarohet se cila është pasoja juridike e moskryerjes së konstituimit të Kuvendit brenda 30 ditësh”, tha Osmani para mediave.

Osmani iu referua aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të 26 qershorit, i cili i detyron deputetët që brenda 30 ditëve ta konstituojnë Kuvendin,  pra deri më 26 korrik.

Osmani ka thënë se ekipi i saj ligjor ka ardhur në përfundim se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nuk e përjashton mundësinë e votimit të fshehtë për kryetar të Kuvendit të Kosovës, por për këtë nevojitet pajtueshmëri nga të gjithë deputetët paraprakisht.

“Aktgjykimi i Kushtetueses ka krijuar hapësire për më shumë interpretime. Edhe pse jam vetë juriste, në cilësinë e presidentes ja lë vlerësimet juridike ekipit tim ligjor. Konstatimi i ekipit tim ligjor me të cilin unë pajtohem, është që në qoftë se lexohet në tërësi aktgjykimi votimi i fshehtë nuk përjashtohet si mundësi megjithatë për të kërkohet konsensusi i deputetëve. Kjo nënkupton që duhet të ketë votë, duhet të ketë vendim të seancës para se të shkohet te një mënyrë e tillë”, është shprehur Osmani sot në një deklarim për media.

Në tentim për të gjetur një dalje nga kriza institucionale, Presidentja Vjosa Osmani në dy ditët e fundit ka takuar drejtuesit e partive parlamentare.

Pas dy ditësh konsultime, Osmani tha se konstituimi i Kuvendit është “detyrim dhe jo opsion”.

Në këtë seri të re të konsultave me partitë politike, Osmani fillimisht i priti të mërkurën kreun e VV-së, Albin Kurtin, kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, si dhe atë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj – në përpjekje për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje për të dalë nga kriza institucionale.

Në këto takime, Osmani u bëri thirrje liderëve që “sa më shpejt”, apo brenda afatit 30- ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, të arrijnë pajtueshmëri për konstituimin e Kuvendit, tha Presidenca në një komunikatë pas takimit.

Ndërkaq, një ditë më pas, të enjten, Osmani ka takuar drejtuesit e partive më të vogla parlamentare dhe atyre nga komunitetet.

Gjykata Kushtetuese ka konstatuar të enjten e kaluar që seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës duhet të përfundojë më së voni për 30 ditë.

Partitë politike kanë dalë me interpretime të ndryshme rreth këtij vendimi. /Reporteri.net/.

A ka pasoja juridike moskonstituimi i Kuvendit brenda 30 ditëve? Presidentja planifikon t’i drejtohet Kushtetueses / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Share.
Exit mobile version