21 milionë lekë që i përkasin ish- ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe grupit që po hetohet me të për fondet e Bashkimit Europian u vunë nën seksuestro nga SPAK.
Po ashtu e njëjta prokurori ngriu edhe 19% të aksioneve të shoqërisë tregtare Albanian Food and Hospitality Services sh.p.k që ortak themeltar ka gruan e ish- ministrit, por që më pas aksionet ia dhuroi një tjetër personi.
Të bllokuara deri në përfundim të hetimeve do të jenë edhe tre makina në pronësi të Koordinatorit të projektit EUSAIR, Ermal Kurtulaj dhe Elton Marinit që ishte ortak i shoqërisë private.
“Nga provat e administruara deri në këtë fazë ka të dhëna që dëshmojnë se shtetasi nën hetim, Ilir Beqaj në cilësinë e drejtorit të SASPAC, në bashkëpunim me shtetasin Ermal Kurtulaj përgjatë viteve 2022- 2023 kanë kryer procedura fiktive prokurimi”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Në dosjen hetimore të SPAK provohet përmes komunikimesh të të pestë personave se: Komunikimet telefonike referuar përmbajtjes së tyre vijnë në harmoni me shënimet e gjetura në dosjen jeshile, sekuestruar në zyrën e Ermal Kurtulaj, nga rezulton se janë gjetur dokumente me shkrim dore që lidhen me tenderat për të rakorduar datat e ofertave, ardhja e tyre si dhe lidhjet e kontratës. Kuptohet se dokumentacioni rezulton të jetë krijuar më vonë.
Këto shënime provojnë urdhrat për ngritjen e komisioneve të vlerësimit si dhe gjithë praktika e përdorur për të kryer prokurimin që është paracaktuar në datën 3 prill 2023, por dokumentacioni për të është plotësuar në korrik.
Ilir Beqaj u arrestua herët mëngjesin e 4 korrikut dhe akuzohet për korrupsion, mashtrim me pasoja të rënda, fshehje e mosdeklarim pasurie dhe shkelja e pjesëmarrësve në tendera.
Bashkë me të, për të njëjtat akuza në burg po mbahet edhe Ermal Kurtulaj.
Të izoluar në shtëpi po mbahen edhe Gazmend Haxhia, Elton Marini dhe Alfred Nikollaj. Dy konsulentët financiarë u lanë në masë të butë sigurie detyrim paraqitje./vizionplus.tv