
Reshjet e dendura të natës dhe mëngjesit të kësaj të premteje kanë shkaktuar një sërë problemesh në disa zona të Juglindjes.
Në qytetin e Korçës, ambientet në bodrumin dhe arkivën e Prokurorisë u përmbytën nga reshjet intensive, duke rrezikuar dokumentacionin. Ekipet ndërhynë gjatë natës dhe situata aktualisht paraqitet e stabilizuar.
Maliqi është një tjetër zonë e prekur: Në Bllokun 3, për shkak të një mase elektrike dhe pranisë së ujit, OSHEE u detyrua të stakojë një fider, duke sjellë mungesë energjie në një pjesë të qytetit.
Në fshatin Sovjan, banorët janë evakuuar, së bashku me bagëtitë dhe kosheret e bletëve, ndërsa gjendja po shkon drejt normalizimit. E njëjta situatë është edhe në fshatrat Leshnjë dhe Vlocisht.
Përgjatë Lumit Dunavec ka përmbytje, pasi është është çarë në dy pika duke bërë që masa të mëdha uji të mbulojnë tokat bujqësore.
Probleme edhe në territorin e Bashkisë Pustec, ku ekziston rreziku i daljes së përroit në aksin Doganë–Goricë e Vogël. Po ashtu, në rrugën Zvezdë–Goricë kanë rënë inerte si pasojë e rrëshqitjeve nga mali.
Prefektura e Qarkut Korçë bëri të ditur se monitorimi i territorit vijon pa ndërprerje dhe strukturat janë në gatishmëri për të menaxhuar çdo emergjencë të shkaktuar nga reshjet.









