Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, së bashku me bashkëshorten e tij, Albinën, mori pjesë në ceremoninë e kurorëzimit të Teuta Ibrahim Rugovës dhe Agron Nikë Gjeloshit, të mbajtur sot në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë.
Në një postim në rrjetet sociale, Abdixhiku e përshkroi ceremoninë si një ngjarje të mbushur me ndjenjë, dritë dhe dinjitet, duke e vlerësuar atë si një vazhdimësi të një trashëgimie të thellë familjare dhe kombëtare.
“Teutës dhe Agronit, të rritur në familje të lidhura ngushtë me rrugëtimin historik të Kosovës, ju uroj jetë të gjatë, të mbushur me dashuri, respekt e bekime të pafundme,” shkroi Abdixhiku, duke uruar edhe familjet Rugova dhe Gjeloshi për këtë ditë të veçantë.
Ai shprehu mirënjohje të veçantë për zonjën Fana Rugova, nënën e Teutës dhe bashkëshorten e ndjerë të Presidentit historik Ibrahim Rugova, duke theksuar se ajo “vërtetë shkëlqente në këtë ditë”.
Abdixhiku publikon fotografi nga kurorëzimi i Teutës e Agronit: Ceremoni plot dritë dhe dinjitet / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.