Sean “Diddy” Combs do të qëndrojë në burg deri në shpalljen e dënimit, pasi kërkesa e tij për liri me kusht është mohuar. Ai ofroi 50 milionë dollarë për lirimin me kusht.

Gjykatësi Arun Subramanian e dha vendimin përmes një urdhri të publikuar të hënën, një javë pasi ekipi ligjor i reperit paraqiti një letër prej 62 faqesh për të kërkuar lirimin e tij me kusht para seancës së 3 tetorit.

Ata shkruanin se Akti Mann sipas të cilit reperi është dënuar, është zbatuar historikisht ndaj tutorëve ose krimeve seksuale me të mitur. Në këndvështrimin e tyre, Combs thjesht merrte burra si eskorta për të bërë “pornografi amatoreske”, jo të drejtonte një biznes prostitucioni.

“Në themel, Combs është dënuar për shfrytëzimin e shërbimeve të një punonjësi seksi dhe kjo nuk procedohet më”, tha avokati i tij, Marc Agnifilo në një intervistë për Variety.

Ai shtoi se para arrestit, Combs kishte hyrë në një program të dhunës në familje dhe “ne shpresojmë që ai të dalë nga burgu dhe të mbarojë punën e vështirë që nisi.”

Në letrën e së hënës, gjykatësi rikonfirmoi vendimin e mëparshëm të mohimit të lirisë me kusht duke shkruar:

“Sa për riskun e arratisjes ose rrezikut, Combs nuk arrin të përmbushë kërkesën e tij me prova të pastra dhe bindëse për arsyet e shprehura gjatë seancës së 2 korrikut 2025. Rritja e sasisë së garancisë ose parashikimi i kushteve shtesë nuk ndryshon llogarinë për shkak të rrethanave dhe barrës së madhe të provave që rëndojnë mbi Combs. Vetëm mbi këtë bazë, aplikimi i Combs mohohet.”

Gjykatësi tha se sa për argumentin e Aktit Mann, mbrojtja nuk paraqiti një “arsye të jashtëzakonshme” të përshtatshme për të kërkuar lirimin e menjëhershëm të reperit.

55-vjeçari është shpallur fajtor dhe mund të dënohet deri në 10 vjet burg pas dy akuzave që tashmë i janë ngarkuar për transportim me qëllim prostitucionin. Akuzat lidhen me transportimin në SHBA të të dashurave dhe eskortave për akte seksuale.

Dënimi final për Diddy do të jepet më 3 tetor.

50 milionë dollarë për lirinë me kusht, gjykata merr vendimin për Diddy / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Share.
Exit mobile version