
Rasti tragjik që ndodhi dje në Karposh ka nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale, ndërsa familjarë dhe qytetarë kërkojnë përgjegjësi institucionale. Vëllai i viktimës, Aleksandar Stojanoski, i cili përmes një statusi në Facebook akuzon institucionet për mosveprim, pavarësisht denoncimeve të shumta për dhunë në familje.
“Pas vitesh të tëra raportimesh për dhunë në familje, dhunë fizike dhe psikologjike ndaj të dyve, kërcënime, raportime, tentativë vrasjeje në mes të një institucioni shtetëror, humba mbesën dhe motrën time. Shteti lejoi që jetë të reja të shuheshin, ju lutem mos spekuloni për atë që ndodhi, askush nuk do t’i kthejë të dashurit e mi, por drejtësia do të duhet të ndiqet deri në fund dhe ne nuk do të ndalemi derisa të ndodhë!”, shkroi Aleksandar Stojanoski.
Reagim publik ka bërë edhe fqinja e viktimave Tanja Spirovska, e cila në një postim thekson përgjegjësinë kolektive dhe institucionale për mosparandalimin e tragjedisë.
“150 banesa dështuam t’ju shpëtojmë nga përbindëshi që ju abuzoi dhe ju rrahu çdo ditë.
Ne të gjithë jemi fajtorë në këtë histori, dhe ne dhe të gjitha institucionet gjithashtu!
Fatkeqësisht, keni humbur dy jetë të reja, dhe arsyeja është një dhe ka një emër dhe mbiemër Stojançe Jovanovski. Mos e fajësoni nënën, me sa duket ai ishte rruga e fundit për të dalë nga errësira në të cilën ndodhej ajo”, tha Tanja Spirovska.
Rrjeti Kombëtar Kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje kërkon, siç theksojnë ata, një hetim urgjent, të plotë dhe të pavarur./TV21/




