
Shteti nuk ka pasqyrë se sa studentë studiojnë në universitetet e huaja, edhe pse çdo vit mijëra të rinj, në vend që të regjistrohen në ndonjë nga universitetet vendase, regjistrohen jashtë shtetit. Interesimi më i madh është për studimet në Slloveni, ku vetëm në dy vitet e fundit janë regjistruar mbi 3100 studentë. Një pjesë e madhe e tyre fare nuk kthehen. Universitetet sllovene ofrojnë studime falas për studentët nga Maqedonia e Veriut.
“Ministria e Arsimit nuk disponon të dhëna të sakta për numrin e studentëve jashtë vendit, për shkak se nuk ka mundësi të ndjekë largimin e qytetarëve tanë që shkojnë jashtë me iniciativë personale. Disponojmë të dhëna për numrin e studentëve që kanë marrë bursë nga MASH-i për të studiuar jashtë, ata që janë regjistruar në një nga 100 universitetet më të mira në botë. Bëhet fjalë për 400 studentë në të tri ciklet e studimeve në periudhën nga viti 2010 e deri më tani”, thonë nga Ministria e Arsimit.
Universitetet po shënojnë rënie dramatike të numrit të studentëve. Profesorët thonë se kjo mund të ndryshojë me përfshirje më të madhe të studentëve në punë praktike në kompani, me bursa më të mëdha dhe më shumë mundësi për punësim.
“Largimi në përgjithësi ndodh për shkak të mundësive të ndryshme që i ofrojnë vendet, por ajo që është interesante për ne është se vetë studentët kanë mundësi të mëdha edhe këtu tek ne, veçanërisht me ndihmën e teknologjive digjitale, që të qëndrojnë këtu dhe njëkohësisht të ndihen sikur janë në qendra prestigjioze”, tha Aleksandar Karadimçe – Universiteti “Shën Apostulli Pal” – Ohër.
Biljana Ristaçkoska Shirgovska – asistente në Fakultetin për Shkenca Bujqësore dhe Ushqim
“Bëhet fjalë për trend momental dhe një lloj mode tek të rinjtë. Në kontaktet me kolegë nga shtete të tjera, nuk është fjala vetëm për studentët tanë, ky trend është i përhapur gjerësisht edhe në shtete të tjera më të zhvilluara të Evropës Perëndimore.”
“Nëse industria përmirësohet, gjë që varet nga politika e shtetit tonë, atëherë do të rritet edhe interesi për studime, qoftë në Fakultetin e Makinerisë, qoftë në Fakultetin e Elektroteknikës apo në fakultetet e tjera”, theksoi Aleksandar Gjerasimovski – docent në Fakultetin e Makinerisë.
Nga Ministria e Arsimit thonë se po punohet në përgatitjen e një Ligji të ri për Arsimin e lartë, i cili do të sigurojë më shumë të drejta dhe mundësi për profesorët dhe studentët. Po shqyrtohet edhe mundësia që të parashikohet punësimi i garantuar i studentëve më të mirë. Gjithashtu, në proces përgatitet një Ligj i ri për standardin studentor, i cili synon të përmirësojë mënyrën e financimit të konvikteve studentore, mënyrën e dhënies së bursave dhe të sigurojë më shumë mundësi për të rinjtë që zgjedhin të ndjekin arsim akademik./Alsat.mk
Studentët largohen, Maqedonia nuk di sa, Sllovenia destinacioni më i kërkuar appeared first on Telegrafi.