
Në orët e para të së hënës, kamerat e sigurisë kanë filmuar tre persona të maskuar afër një marketi te tri kullat në Lagjen Veri të kryeqytetit. Sipas pamjeve që siguroi TV21, njëri prej tyre ka thyer xhamin e shitores, ndërsa tjetri i ka ndihmuar për t’i ndezur dy shishe me gaz, duke i hedhur brenda objektit. Personi i tretë ka bërë roje dhe pas kryerjes së aktit vandal, që të tre kanë ikur në të njëjtin drejtim. Kjo sipas policisë, cilësohet të jetë zjarrvënie e qëllimshme dhe e organizuar me koktej molotovi. Nga MPB thonë se janë duke hetuar në identifikimin e tre të dyshuarve.
“Sot në ora 4:56 të mëngjesit në Sektorin për punë të brendshme në Shkup është paraqitur rasti se në rrugën Tale Hristov në Shkup është shkaktuar zjarr në një shitore në pronësi të J.I. nga Shkupi. Nuk ka persona të lënduar, kurse ekipi i zjarrfikësve e kanë shuar zjarrin. Janë ndërmarrë masa për zbardhjen e rastit”, tha Goce Andreev, zëdhënës i MPB-së.
Disa orë më pas, pronarët po pastrojnë mallin e djegur në hyrje të marketit te tyre. Duke mos dashur të flasin para kamerës, njëri prej tyre na tha se nuk dihen motivet e këtij sulmi dhe se nuk kanë asnjë problem me askënd. Thanë se objektin e kanë të siguruar dhe iu bëjnë thirrje organeve të rendit që kjo çështje të zbardhet.
“Pronarët e kësaj shitore nuk deshën të pronocohen për mediat, por i thanë TV21 se kjo është hera e tetë që nga akte vandale është thyer lokali i tyre në tre muajt e fundit, por është hera e parë që është tentuar t’i vihet zjarri. Por thonë se nuk kanë probleme me askënd dhe nuk kanë pasur ndonjë kërcënim të caktuar lidhur me këto që po ndodhin”, raporton Adnan Qaili, gazetar i TV21
Nga MPB thonë se akte të tilla vandale nuk janë të rralla në vend. Dyshimet e policisë hetuese janë që bizneset e mesme dhe të vogla shpesh herë sulmohen para se tu kërkohet ndonjë formë haraçi, gjë e cila është e ndaluar me ligj dhe e dënueshme me burg.
Shitores i vihet flaka me koktej molotovi, Policia në ndjekje të tre maskave në Shkup appeared first on Telegrafi.