Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë ka reaguar sot për rastin e marrjes në pyetje nga policia e Tetovës të gazetarit, Nevrij Ademi, informon Telegrafi Maqedoni.
Nga SHGM sqarojnë rastin, duke cituar deklaratën e gazetarit Ademi, duke theksuar se kanë kërkuar përgjegjësi nga institucionet kompetente për këtë rast.
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) sot ka dërguar shkresa zyrtare deri te Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) dhe deri te Prokuroria Themelore Publike (PTHP) lidhur me rastin e gazetarit nga Tetova, Nevrij Ademi. Sipas dëshmive të kolegut Ademi, më 19.08.2025 ai është thirrur me telefon për të dhënë deklaratë në SPB Tetovë. Në stacion, gjatë bisedës e cila është zhvilluar dje dhe ka zgjatur dy orë, një polic ka pranuar një telefonatë nga një prokuror, i cili kinse ka dhënë urdhër gojor për konfiskimin e telefonave të gazetarit – mjeti bazë për punën e tij. Me kërkesë të avokatit dhe për shkak të mungesës së bazës ligjore, telefonat nuk janë konfiskuar, ndërsa Ademi dhe të pranishmit e tjerë kanë lëshuar stacionin policor. SHGM vlerëson se një veprim i tillë paraqet mundësi për presion ndaj gazetarit, rrezik për kufizimin e lirisë së medias dhe cenim të punës së tij. Në shkresat zyrtare, SHGM kërkoi:
sqarim nga institucionet nëse vërtet ka ekzistuar një urdhër gojor për konfiskimin e mjeteve të punës së gazetarit;
nëse gazetari është ftuar përmes një telefonate gojore, e jo me shënim zyrtar, dhe për çfarë arsye;
verifikim nëse me këtë veprim janë shkelur procedurat ligjore dhe standardet profesionale;
marrje përgjegjësie dhe garanci që në të ardhmen nuk do të merren masa që do ta cenojnë të drejtën e gazetarëve për të ushtruar punën e tyre pa presione dhe frikë nga represioni, thuhet në njoftim.
Shtojnë se SHGM do të vazhdojë ta ndjekë me kujdes rastin dhe insiston në mbrojtje të plotë të të drejtave të gazetarëve dhe krijimin e një ambienti të sigurt për punën e tyre.
SHGM: Institucionet duhet të japin përgjigje për rastin me gazetarin Nevrij Ademi appeared first on Telegrafi.