
Në kuadër të pjesëmarrjes së Komunës së Strugës në panairin ndërkombëtar në Tiranë, Kryetari i komunës së Strugës Mendi Qyra mori pjesë në panel-diskutimin me temë: “Pozicionimi i destinacioneve: Nga imazhi te ndikimi real!”.
Në fjalën e tij, Qyra foli për potencialin turistik të Strugës – bukuritë natyrore, trashëgiminë kulturore, traditën e pasur dhe mundësitë për zhvillim të qëndrueshëm të turizmit.
Ai theksoi se Struga ka kapacitetin të jetë një destinacion i njohur rajonal që ofron një përvojë autentike për vizitorët.
Kryetari Qyra gjithashtu u bëri thirrje publike të gjithë operatorëve dhe agjencive turistike që ta përfshijnë Strugën në paketat e tyre turistike, me qëllim avancimin e përbashkët të ofertës dhe rritjen e dukshmërisë së qytetit në hartën turistike rajonale dhe ndërkombëtare.
Komuna e Strugës mbetet e përkushtuar për promovim aktiv, pozicionim strategjik dhe krijimin e ndikimit real përmes partneriteteve dhe bashkëpunimeve konkrete në sektorin e turizmit.



