
Qendra për menaxhim me kriza (QMK) në informacionin për gjendjen me reshjet e dendura të shiut deri në orën 8 të mëngjesit, njofton se ka shtëpi dhe sipërfaqe bujqësore të përmbytura, si dhe rrëshqitje të dheut në rrugë në një pjesë të vendit.
Në Komunën e Resnjës, si pasojë e reshjeve të dendura, ka pasur daljen nga shtrati të lumenjve Bollnska dhe Istoçka në fshatrat Carev Dvor dhe Drmeni, duke shkaktuar përmbytjen e mbi 50 shtëpive, hapësirave magazinore, bodrumeve dhe tokave bujqësore.
“Janë angazhuar ekipe të ndërmarrjeve publike dhe kompani private me gjithsej 4 bagerë, 7 pompa për nxjerrje të ujit dhe disa pompa private shtesë. Në rrugët rajonale ka depozitime dheu, të cilat po pastrohen sipas përparësive. Niveli i Lumit Golema Reka është 2.1 m, me fillim të daljeve në disa oborre në fshatrat Dolna dhe Gorna Kisha Bardh. NP “Proleter” njofton për cilësi të dëmtuar të ujit në disa pjesë të sistemit të ujësjellësit – uji përkohësisht nuk rekomandohet për konsum. NJZP Resnjë ka ndërhyrë në fshatin Drmeni me 2 automjete dhe 5 zjarrfikës”, publikoi QMK në ueb faqen e saj
Edhe Komuna e Manastirit raporton disa ndërhyrje:
“NP Manastir ndërhyn në fshatrat nën Pelister: Nizhepole, Dihovë, Capari, Porodin, Zhaban, Lazhec, Mexhitlija, Ostrec, Graešnicë dhe Kishavë. NP “Niskogradba” dhe Ndërmarrja për Ujërat – Bregu i Fushës së Manastirit po ngritin argjinatura në lumin Dragor në zonën e Orizari Poshtëm. Në urën e lumit Dragor në hyrje të fshatit Karamani po pastrohen degë dhe mbeturina për rritje të kapacitetit të rrjedhës. HEC “Strezhevë” po pastron tubacionet e lumit të Caparskës që kalon përmes fshatrave Dolenci dhe Lera. Të gjithë mekanizmat ndërtimorë të NP dhe kompanitë private të angazhuara nga Komuna janë në terren dhe do të vazhdojnë punën edhe gjatë natës. Për shkak të ujit në rrugë, janë mbyllur rrugët Lera–Dolenci dhe drejt Caparit. Niveli i lumit Crna është rritur në 2.7 m (ora 15:30). NP Ujësjellësi Manastir punon për një defekt që ka shkaktuar ndërprerje të furnizimit me ujë nga Kravari deri në vendkalimin Mexhitlija. – Përmes numrit të vetëm emergjent E-112 janë raportuar disa bodrume të përmbytura, oborre të përmbytura, një pemë e rrëzuar dhe rrezik për dalje të kanaleve”, e transmeton QMK gjendjen në Manastir.
Në Komunën e Demir Hisarit: dalje e lumit Crna pranë fshatit Zhvan, me përmbytje të tokave bujqësore. Ekipet janë duke pastruar rrëshqitjet e dheut në rrugët lokale Bazerik dhe Virovë – të dy drejtimet janë të kalueshme.
Në Komunën e Prilepit, përmes E-112 është njoftuar për shembje të tavanit të një shtëpie në rr. “Kajmakçalan”, afër spitalit, si pasojë e reshjeve. Janë njoftuar shërbimet kompetente.
QRMK– Ohër: janë kryer disa ndërhyrje në ndërtesa dhe shtëpi të përmbytura; pas ndërprerjes së reshjeve gjendja është stabilizuar disi, megjithatë nivelet e lumenjve mbeten të larta.
Sipas QRMK– Kumanovë, në Kriva Pallankë dhe Kratovë janë pastruar disa rrëshqitje dheu në rrugët rajonale. Nivelet e lumenjve janë të rritura, por pa njoftime për dalje nga shtrati. QRMK– Strumicë: janë raportuar tre rrëshqitje dheu në rrugën Strumicë–Vallandovë, të cilat janë përcjellë menjëherë tek shërbimet kompetente.
QRMK– Shkup: nivelet e lumenjve janë të rritura, por gjendja është nën kontroll dhe nuk ka dalje nga shtrati.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) sot u bëri thirrje popullsisë në rajonet e prekura nga përmbytjet që të kujdesen për sigurinë e ushqimit, ujin e pijshëm dhe gjendjen shëndetësore dhe mirëqenien e kafshëve.
“Nëse në rajonet ku ka tashmë dalje nga shtrati të lumenjve dhe përmbytje të shtëpive dhe zonave bujqësore dhe furnizimi me ujë kryhet nga objekte individuale të furnizimit me ujë, nëse ka turbullira të dukshme të ujit, ai nuk duhet të përdoret për pirje dhe gatim, derisa situata të përmirësohet dhe derisa të merret konfirmim laboratorik se uji është i sigurt. Rregullisht të mbahet higjiena e duarve, veçanërisht pas kontaktit me ujin e përmbytjes ose objektet që janë përmbytur, pas pastrimit dhe para përgatitjes së ushqimit. Të ketë kujdes dhe mbrohet ushqimi i gatshëm në mënyrë që të mos bjerë në kontakt me ujin e përmbytjes ose ujërat e zeza”, thuhet në kumtesën.
Agjencia rekomandon që në amvisëritë e përmbytura, ushqimi që ka qenë në kontakt me ujin e përmbytjes, në frigoriferë, ngrirës ose bodrume të përmbytura, të mos përdoret për konsum, domethënë duhet të hidhet. Ushqimi duhet të përgatitet me ujë të sigurt dhe duhet të përpunohet termikisht në një temperaturë më të lartë se 70 gradë Celsius. Frutat dhe perimet që zakonisht përdoren të freskëta duhet të lahen shtesë, të pastrohen, të lahen përsëri dhe të përpunohen termikisht.
Nëse ka fëmijë të vegjël në amvisëritë e përmbytura, rekomandohet që ato të ushqehen me ushqim të përgatitur industrialisht.





