Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski ka uruar besimtarët e fesë islame me rastin e festës së Kurban Bajramit.
Mickoski në mesazhin e tij uron për humanizëm dhe solidaritet.
Urimi i kryeministrit Hristijan Mickoski:
“Më lejoni që në emrin tim dhe në emër të Qeverisë t’ju uroj festën myslimane të Kurban Bajramit, Juve dhe të gjithë qytetarëve që i përkasin bashkësisë islame, duke Ju dëshiruar që ta kaloni këtë festë në shëndet të mirë, paqe, mirëqenie dhe qetësi në zemrat dhe shtëpitë tuaja. Festa e Kurban Bajramit na kujton për vlerat dhe parimet e vërteta të jetës e ajo është që të bëjmë vepra të mira, të ndihmojmë dhe të jemi humanë, sepse humanizmi dhe solidariteti janë virtytet më të mëdha njerëzore. Bashkësia Islame dhe të gjithë besimtarët e saj janë pjesë e këtij shteti, prandaj është e domosdoshme të japim dorën dhe të respektojmë dallimet, sepse vetëm në këtë mënyrë do të ndërtojmë një shtet me qytetarë të lumtur dhe të kënaqur. Përkushtimi ynë është që ta ndërtojmë shtetin në mirëkuptim të ndërsjellë, respekt, besim dhe tolerancë. Këtë do ta arrijmë vetëm nëse jemi të bashkuar. Si Qeveri, në një periudhë të shkurtër kemi arritur ta transformojmë shtetin, përmes dialogut dhe bashkëpunimit kemi realizuar projekte nga të cilat përfitime të mëdha do të kenë të gjithë qytetarët, pa dallim përkatësie etnike apo fetare. Por, nevojiten hapa të mëdha për realizimin e qëllimeve të përbashkëta dhe prandaj le të jetë lufta për një të ardhme më të mirë, shpresë dhe jetë më cilësore udhërrëfyesi ynë i përbashkët për një Maqedoni të suksesshme dhe fitimtare, shtet shtëpi për çdo qytetar dhe Maqedoni e ndryshimeve”, shkruan Mickoski.
Festën e ka uruar dhe presidentja, Gordana Siljanovska Davkova.
Presidentja dërgoi mesazh duke dëshiruar që ditët festive të kalojnë me shëndet të mirë, të mbushura me lumturi, gëzim dhe dashuri.
“Si festë e dhënies dhe ndihmës, Kurban Bajrami nxjerr në pah fisnikërinë e njeriut, duke na motivuar të kujdesemi për të gjithë anëtarët e bashkësisë. Si shoqëri, ne gjithmonë jemi dalluar për solidaritetin, bashkimin, respektin dhe kujdesin tonë, dhe duhet të vazhdojmë ta ruajmë dhe kultivojmë këtë. Ne jetojmë në kohë komplekse dhe dinamike me ndryshime tektonike politike dhe ekonomike në shkallë globale, të cilat kërkojnë mençuri, bashkim dhe vullnet e këmbëngulje të fortë. Le të mbështetemi te njëri-tjetri, të zhvillojmë empati dhe solidaritet dhe të përpiqemi në thelb për mirëqenien e të gjithë bashkëqytetarëve tanë dhe prosperitetin e atdheut!”, thuhet në urimin e presidentes.
Presidentja Siljanovska-Davkova dhe kryeministri Mickoski urojnë besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit appeared first on Telegrafi.