Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, tha se përfshirja e tij në garën zgjedhore nuk është rezultat i ndonjë strategjie politike ose llogaritjeje personale, por e nevojës së sinqertë për të artikuluar energjinë dhe revoltën e qytetarëve.
“Që nga dita e parë thashë: nuk hyra në këtë garë për të drejtuar komunën, por për të kanalizuar këtë energji të zemërimit dhe revoltës që e dëgjoj nga çdo person që kam takuar. Kam takuar mijëra njerëz gjatë këtyre tre muajve të fushatës. Ata flasin për dinjitetin tonë kombëtar që na është marrë dhe poshtëruar, por flasin edhe për dinjitetin e jetës në Çair. Po ndodh diçka e pazakontë. Një lloj mobilizimi që nuk është tipik partiak. Erdhën njerëz që më thanë: ne votuam vitin e kaluar për ta, por gabuam. Tani duam të mbështesim qëllimin tuaj. Erdhën njerëz të paangazhuar, që më thanë: kurrë nuk kemi votuar, kurrë nuk dalim në zgjedhje, jemi apolitikë. Por këtë herë nuk mund të heshtim,” theksoi Osmani.
Ai tha se zgjedhjet lokale janë betejë për shpresën e njerëzve që i kanë besuar.
“Hyra në këtë betejë pa asnjë llogari personale. Vendosa gjithë karrierën time politike në funksion të këtij misioni. Sepse nëse secili fillon të mendojë vetëm për veten, atëherë kujt i lëmë fatin e këtij populli, amanetin që na kanë lënë gjeneratat e mëparshme, të ardhmen e fëmijëve tanë? Çairi do të ketë një udhëheqje që do t’i rikthejë dinjitetin, do të rrisë vlerën e komunës, do të rrisë vlerën e pronave të qytetarëve dhe do të sigurojë një jetë normale për njerëzit që për vite me radhë janë privuar nga kjo për shkak të interesave komerciale të të tjerëve”, tha Osmani.