Kandidati i pavarur për komunën e Gostivarit, Visar Ademi, sot tha se Gostivari ndodhet mes korrupsionit, mbeturinave dhe qenve endacakë.

Në reagimin e tij ai tha se Komuna e Gostivarit ka mungesë transparence, pasie njejta ka shënuar rënie me 10 pikë.

“Raporti më i fundit për Indeksin e Transparencës Aktive 2025, i publikuar në shtator 2025, tregon një realitet alarmant për komunën tonë. Gostivari ka rënë me –10 pikë përqindje brenda një viti, duke u renditur vetëm në vendin e 91-të me rezultat 58.6%, nga 101 institucione shtetërore të përfshira në këtë raport. Kjo është një nga rëniet më të mëdha në nivel republikan dhe dëshmon qartë se në Komunën e Gostivarit mungon qeverisja e hapur, përgjegjësia ndaj qytetarëve dhe vullneti për të ofruar llogaridhënie.
Ndërkohë që Bërvenica me 94.2% dhe Tetova me 81.4% tregojnë se transparenca është e realizueshme kur ka menaxhim të përgjegjshëm, Gostivari për fat të keq ndodhet pranë komunave më pak transparente në vend, përkrah Bogovinës (49.3%) dhe Vrapçishtit (43.7%). Kjo situatë nuk është thjesht një statistikë – qytetarët e Gostivarit e përjetojnë çdo ditë. Dëshmitë që sjellim së bashku me qytetarët, të verifikuara edhe nga raporti për transparencën, tregojnë: Vendime të panevojshme ose të fshehura, Mungesë informacioni për shpenzimet e buxhetit, Mungesë kontrolli mbi menaxhimin e resurseve publike”, tha Osmani.

Ademi tha se misioni i tij është që Gostivari të jetë një komunë transparente dhe e pastër.

“Si kandidat i pavarur për kryetar komune, unë dhe ekipi im kemi një mision të qartë: t’i japim fund këtij cikli dhe ta kthejmë Gostivarin në një model transparence dhe pastërtie.
Gostivari duhet të pastrohet:
Nga korrupsioni – për një komunë të ndershme, me llogaridhënie të plotë.
Nga mbeturinat – për një qytet të pastër, të shëndetshëm dhe të denjë për qytetarët.
Nga qentë endacakë – për një mjedis të sigurt, pa rrezik për fëmijët dhe qytetarët.
Transparenca dhe pastërtia janë themeli i besimit mes qytetarëve dhe pushtetit lokal. Pa to, nuk mund të ketë zhvillim, progres apo mirëqenie. Më 19 tetor, qytetarët e Gostivarit do të kenë mundësinë të zgjedhin një rrugë tjetër: Një komunë të hapur dhe të ndershme, Një pushtet që i shërben qytetarëve, jo interesave të ngushta, Një Gostivar të pastruar nga korrupsioni, mbeturinat dhe qentë endacakë”, tha Ademi.

Share.
Exit mobile version