
Nga nëntori i këtij viti, Shkupi do të lidhet me edhe pesë destinacione të reja evropiane përmes linjave të reja të rregullta ajrore, njoftoi sot zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski.
Destinacionet e reja janë Madridi dhe Stokholmi, me fluturime drejt Shkupit që nisin në nëntor, si dhe Praga, Bari dhe Këlni, linjat e të cilave do të fillojnë në dhjetor.
“Këtë mëngjes e nënshkruam marrëveshjen për pesë destinacione të reja që do të operohen nga Aeroporti i Shkupit. Këto linja ajrore do të sjellin më shumë turistë, më shumë biznese në Maqedoni dhe më shumë mundësi për të gjithë qytetarët,” deklaroi Nikolloski.
Me këto pesë linja të reja, numri i linjave të reja ajrore të hapura gjatë vitit të fundit arrin në 16. Zv. kryeministri njoftoi se të dhënat nga aeroportet konfirmojnë trendin e rritjes – në gjysmën e parë të vitit 2025, përmes aeroporteve të Shkupit dhe Ohrit janë transportuar gjithsej 1.5 milionë pasagjerë. Kjo paraqet një rritje prej 5% në Aeroportin e Shkupit dhe 11% në atë të Ohrit, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
“Në periudhën e ardhshme do të ketë edhe lajme të mira – do të shpallim linja të tjera të reja ajrore,” shtoi Nikolloski, duke shprehur shpresën se këto risi do të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe në rritjen e lidhjes së Maqedonisë me Evropën.
Nikolloski: Nga nëntori, Shkupi do të lidhet edhe me pesë destinacione të reja evropiane appeared first on Telegrafi.