Ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski sot në Athinë realizoi takim pune me zëvendëskryeministrin e Qeverisë së Greqisë, Kostis Kazidakis.

Siç njoftuan nga kabineti i Nikolloskit, ky është takimi i parë i dy zëvendëskryeministrave me të cilin u theksua rëndësia dhe promovimi i bashkëpunimit ekonomik dhe projektet rajonale infrastrukturore.

“Në takim u konfirmuan përpjekjet e të dy vendeve për bashkëpunim më të mirë rajonal në fushën e infrastrukturës, transportit dhe shërbimeve. U prezantuan prioritetet strategjike të Qeverisë në infrastrukturë dhe u theksua rëndësia e lidhjes më efikase rajonale si parakusht për zhvillimin e përshpejtuar ekonomik të rajonit. U theksua vendosmëria e fortë e të dy qeverive për të ndërtuar hekurudhën e shpejtë në Korridorin 10, një projekt rajonal që do të mundësojë zhvillimin e tregtisë, rritjen e shkëmbimit midis dy vendeve dhe një lidhje të shpejtë të porteve në Greqi me tregjet në Evropën Qendrore. Në takim u prezantuan kushtet për investime në vend, si dhe mundësia e një bashkëpunimi më të madh ekonomik dhe tregtar midis bashkësisë së biznesit të të dy vendeve”, bën të ditur Ministria e Transportit.

Nikolloski dhe Kazidakis përfunduan se bashkëpunimi dhe realizimi i projekteve me rëndësi rajonale do të vazhdojë në periudhën e ardhshme në drejtim të rritjes së efikasitetit të transportit dhe bashkëpunimit ndërkufitar

Share.
Exit mobile version