
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme po ndjek me vëmendje dhe shqetësim zhvillimet në rajonin e gjerë të Lindjes së Mesme, të cilat kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në stabilitetin rajonal dhe ndërkombëtar, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme këtë pasdite.
Nga atje thonë se duke pasur parasysh përpjekjet e dukshme të Iranit për të synuar, përveç Izraelit, disa shtete arabe, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, Katarin, Kuvajtin, Bahreinin, Arabinë Saudite, Libanin dhe Irakun, si dhe bazën ushtarake britanike në territorin e Republikës së Qipros, Ministria u bën thirrje edhe një herë të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut të përmbahen nga udhëtimet e panevojshme në rajonin e gjerë të Lindjes së Mesme.
“Ne dënojmë pa mëdyshje të gjitha sulmet ndaj miqve dhe partnerëve tanë. Shkeljet e sovranitetit dhe shënjestrimi i objektivave civilë janë të papranueshme dhe janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare. Paqja, siguria dhe stabiliteti në Lindjen e Mesme nuk janë kategori abstrakte, por parakushte thelbësore për stabilitetin global.
Prioriteti i Qeverisë mbetet siguria dhe mbështetja e qytetarëve maqedonas që ndodhen në këtë rajon për arsye të ndryshme. Gjatë periudhës së kaluar, misionet diplomatike dhe konsullore kompetente kanë qenë në komunikim të vazhdueshëm me ta.
“Ministria, në koordinim me misionet diplomatike dhe konsullore, po shqyrton disa skenarë të mundshëm për riatdhesim dhe evakuim, të cilët do të aktivizohen kur kushtet në terren ta lejojnë dhe/ose pas rivendosjes së trafikut ajror”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme./Telegrafi/




