Ministria e Punëve të Brendshme ka dalë me thirrje për tifozeritë e ekipeve sportive, duke u bërë thirrje që të mbështesin ekipet e tyre në mënyrë sportiv, pa gjuhë të urrejtjes, pa asnjë fyerje të bazuar në përkatësi personale, etnike, fetare ose ndonjë përkatësi tjetër që është e papërshtatshme për garat sportive dhe është në kundërshtim me ligjin.
“Lidhur me ndeshjen e basketbollit që u zhvillua më 02.08.2025 në Pallatin e Sporteve në Kumanovë, disa të dyshuar tashmë janë thirrur në Departamentin e Policisë së Kumanovës dhe është kryer një intervistë zyrtare, ndërsa pas analizave të kryera në koordinim me Prokurorinë Publike të Kumanovës, do të merren masa specifike ligjore kundër personave të përfshirë, përfshirë edhe ndjekje penale. Sot, oficerët e policisë së Sektorit të Punëve të Brendshme Kumanovë e privuan nga liria S.M. (30) nga Kumanova, i cili dyshohet se është përpjekur të sjellë një banderolë me përmbajtje fyese gjatë pushimit të një ndeshjeje basketbolli. Pasi të sqarohet plotësisht rasti, kundër tij do të ngrihet padi përkatëse”.
“Në këtë kontekst, MPB thekson edhe një herë se në kuadër të sigurimit të garave sportive paqësore dhe të pandërprera, policia do të jetë jashtëzakonisht rigoroze në lidhje me çdo shkelje të rendit dhe qetësisë publike, përkatësisht çdo thirrje ofenduese të bazuar në përkatësi kombëtare, etnike ose fetare do të sanksionohet në mënyrën më të ashpër, pa asnjë tolerancë. Vetëm përkrahja sportive dhe brohoritjet e ndershme sportive mund të na sjellin sukses, fitore dhe gëzim sportiv”, thonë nga MPB.
MPB me apel për tifozët: Mbështetni ekipet në mënyrë sportive, çdo gjuhë e urrejtjes do të sanksionohet ashpër appeared first on Telegrafi.